AlbanianSport.com 13.10.2014 12:55
ASNN – Sikur të mos mjaftonte dëmtimi i Kristi Vangjelit të premten, të shtunën ka munguar në stërvitje me grupin edhe Sabjen Lilaj. Mesfushori mësohet se ka qenë me temperaturë dhe ka përdorur antibiotikë. Ndërkohë nuk ka preferuar të qëndrojë në shtëpi, por ka dalë në stërvitje, duke u stërvitur në pistën e stadiumit “Skënderbeu”.
Bashkë me Lilajn veç është stërvitur edhe kapiteni Bledi Shkëmbi dhe Bakari Nimaga, edhe këta lojtarë që ndodhen në infermierinë e Skënderbeut. Ndërkohë që kjo treshe është stërvitur veç, Kristi Vangjeli edhe gjatë ditës së djeshme ka vijuar terapinë në klinikën e mjekut Jorgo Pantazi.
Dhe nga e hëna e në vazhdim do të mësohet diçka më shumë në lidhje me mbrojtësin korçar, që ka një kontraktim në kofshën e djathtë, por që nuk mund të thuhet me siguri se kur do të kthehet. Për Lilajn, ndoshta nga e marta do të jetë gati për të qenë pjesë e grupit.