AlbanianSport.com 25.08.2015 09:35
ASNN – Skënderbeu niset drejt Zagrebit pa Hamdi Salihin, ndërsa trajneri Mirel Josa kërkon një paraqitje dinjitoze. Skënderbeu i ka dhënë fund përgatitjeve dhe paraditen e së hënës ka udhëtuar drejt Zagrebit për ndeshjen e kthimit kundër Dinamos në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve. Humbja 2-1 në sfidën e parë ka sfumuar shpresat e korçarëve për kualifikim, por trajneri Mirel Josa kërkon të dalë me dinjitet nga Liga e Kampioneve.
Me skuadrën nuk ka udhëtuar Hamdi Salihi që pritet të zyrtarizojë fundin e aventurës së tij me Skënderbeun. Humbja 2-1 në ndeshjen e parë ka sfumuar shpresat e Skënderbeut për të luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Por kjo nuk do të thotë se kampionët shqiptarë do të vizitojnë Zagrebin vetëm për turizëm. Skënderbeu u kanë dhënë fund përgatitjeve përpara sfidës së kthimit në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve, ndërsa trajneri Josa është i bindur se korçarët do të luajnë shanset e tyre.
Josa nuk përmend kualifikimin, por e sheh sfidën me Dinamon e Zagrebit si një test force për Skënderbeun që nëse largohet nga Ligën e Kampioneve do të luajë në fazën e grupeve në Ligën e Evropës, por duhet gjithashtu të mbrojë titullin në Kategorinë Superiore. Seanca e fundit stërvitore përpara nisjes drejt Zagrebit nuk e ka qetësuar Mirel Josën, që duhet t’i bëjë llogaritë me shumë dyshime sa i përket formacionit. Mungon Salihi, ndërsa aktivizimi i Berishës është në pikëpyetje të fortë.
Edhe bashkimi me skuadrën e nigerianit Peter Olajinka nuk e ka kënaqur trajnerin. Skënderbeu u nis paraditen e së hënës drejt Zagrebit me një lajm tjetër të keq. Hamdi Salihi jo vetëm që nuk ka udhëtuar me skuadrën, por duket se ka mbyllur aventurën me kampionët shqiptarë. Sulmuesi ka marrë një ofertë të rëndësishme dhe pritet të kthehet sërish në kampionatin izraelit.