AlbanianSport.com 11.12.2015 12:15
ASNN – Piter Olajinka dhe Bernard Berisha janë dy lojtarët e parë të Skënderbeut që në janar do të largohen nga Korça drejt kampionateve të vendeve evropiane. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar vetë dy lojtarët në fjalë, duke folur për Televizionin Shqiptar pas ndeshjes me Lokomotivën e Moskës.
Përtej eliminimit që në fazën e grupeve, paraqitja e Skënderbeut në Ligën e Evropës ka patur edhe një tjetër ndikim në financat e klubit korçar, që në janar do të shesë dy prej lojtarëve më të spikatur të tij.
Bëhet fjalë për nigerianin Piter Olajinka dhe kosovarin Bernard Berisha, të cilët e kanë konfirmuar largimin e tyre duke folur për Televizionin Shqiptar pas ndeshjes me Lokomotivën e Moskës.
“Është e vërtetë që kam firmosur një kontratë me ekipin belg të Gentit për një periudhë prej 3 vjetësh e gjysmë”, – ka deklaruar Olajinka, duke shtuar: “Unë do të luaj edhe ndeshjet e mbetura deri në fund të muajit dhe më pas do të bashkohem me ekipin belg.”
Ndërsa Berisha nuk ka pranuar të japë emrin e skuadrës së tij të ardhshme. Akoma nuk ka një shifër të përafërt nga klubi korçar për vlerën e përgjithshme të shitjes së këtyre dy lojtarëve.