Adriatik Balla 01.08.2015 18:00
Skënderbeu do të presë të martën në mbrëmje në stadiumin “Elbasan Arena” Milsamin, kampionen e Moldavisë, për ndeshjen e kthimit të turit të tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, me shpresën se do të mund të ruajë epërsinë 2-0 nga ndeshja e parë dhe do të kalojë pa shumë sforcime në turin tjetër eliminator të kësaj veprimtarie. Megjithatë, trajneri Mirel Josa duket i shqetësuar për shkak se skuadra ka disa mungesa të rëndësishme.
Dhe ajo që është më e keqja, euforia mund të dëmtojë objektivat, pasi ka entuziazëm, optimizëm të madh kualifikimi, ndërkohë që duhen dhe 90 minuta shumë të forta për të përcaktuar skuadrën që do të shkojë në fazën e “play-off”-eve të Ligës së Kampioneve. Trajneri kryeqytetas i korçarëve nuk do të ketë në dispozicion dy mbrojtësit kryesorë të ekipit, Tefik Osmanin e dëmtuar, si dhe Renato Arapin, të pezulluar me tri ndeshje nga Disiplinori i UEFA-s.
Parë në këtë kuadër, trajner i Skënderbeut ka eksperimentuar mjaft në mbrojtje gjatë këtyre ditëve, për të pasur një repart mbrojtës solid në takimin e kthimit me Milsamin, si dhe për të gjetur formulën e duhur taktike të funksionimit të skuadrës bardhëkuqe në fushën e lojës. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, që nuk është i panjohur dhe për ekipin korçar, por stafi teknik e di mirë rëndësinë e kësaj ndeshjeje në këtë faze eliminatore.
Prandaj ka këshilluar lojtarët të jenë të vëmendshëm, të zbatojnë si duhet detyrat taktike e madje ka marrë në shqyrtim dhe faktin se nuk luhet në tapetin e gjelbërt të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, por në stadiumin e Elbasanit, që është më i madh dhe natyrisht me një kundërshtar shumë të motivuar e madje që nuk ka çfarë të humbasë. Ndërkohë, presidenca e klubit korçar është shprehur se do të japë shpërblim të majmë për kualifikimin, përderisa përflitet për një shumë prej 500 mijë euro.