AlbanianSport.com 02/03/2021 22:35
ASNN – Në takimin e vlefshëm për javën e 22-të të Kategorisë Superiore, Skënderbeu pret të mërkurën Kastriotin dhe për korçarët 3 pikët janë të domosdoshme, në rast se synohet ende të shpëtojnë prej rënies nga kategoria. Humbja e fundit me Bylisin nuk u prit mirë dhe trajneri Migen Memelli foli edhe në lidhje me gjykimin, madje lëshoi akuza të forta. Por, në konferencën e sotme, ai bëri kthesë, duke theksuar se duhet shikuar përpara: “Gjykimi? Nuk kam asnjë problem për këtë pjesë, ajo çka duhet është të kemi mendjen te ndeshja e radhës.”
“Çfarë ka kaluar nuk e kthejmë dot pas, – ka vijuar ai. – E rëndësishme është të mendojmë për ndeshjen e radhës.” Në lidhje me duelin me krutanët, trajneri i ekipit korçar zbuloi përgatitjet e bardhekuqve. “Takimin e kemi përgatitur mjaft mirë, – tha Memelli. – Skuadra ka qenë e impenjuar në seancat stërvitore. Çdo ndeshje është finale për ne, sikurse edhe e nesërmja. Jemi në një situatë ku ndeshjet pa asnjë diskutim duhet t’i vlerësojmë në maksimum. Tri pikët mund të na ngrenë mjaft në tabelën e renditjes.”
“Sigurisht, pa dashur të largoj presionin nga skuadra, lojtarët duhet të kenë qartësinë dhe kthjelltësinë e duhur përpara këtij takimi, – vijoi trajneri pogradecar. – Këto elementë mund t’i bëjë që nga ana psikologjike të jenë në lartësinë e duhur.” Kastrioti është një skuadër agresive dhe kjo ju vu në dukje Memellit, sikurse edhe fakti që korçarët janë disi të butë. Por trajneri nuk bie dakord me këtë pjesë, teksa thotë: “Nuk kemi qenë të butë gjatë këtyre 4 ndeshjeve që e drejtoj unë skuadrën. Sigurisht intensiteti dhe grinta janë rritur, gjë që e kemi dashur që në fillim.”
“E vlerësojmë maksimalisht skuadrën e Kastriotit, si një skuadër me karakter të fortë, – këmbënguli ai. – Ne kundërshtarët do t’i vlerësojmë maksimalisht, për të marrë pikët e plota”. Në fund, në lidhje me formacionin, Memelli sqaroi: “Përveç Marës së dëmtuar dhe Taipit me karton të kuq, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. Do shikojmë në seancë dhe do vendosim të luajnë ata që janë më të përshtatshëm për këtë ndeshje”.