AlbanianSport.com 10.12.2015 22:55
ASNN – Kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, ka mbyllur të enjten në mbrëmje aventurën e tij në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, me takimin e fundit të fazës së grupeve, atë kundër Lokomotivës së Moskës. Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u fitua nga rusët me rezultatin 3-0.
Një fitore dhe 5 humbje në 6 ndeshje. Ky është bilanci përfundimtar i debutimit historik të kampiones së Shqipërisë, Skënderbeut, në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, ku korçarët janë ndalur në fazën e grupeve. Kjo fazë ka ulur të enjten në mbrëmje siparin e ndeshjeve të saj për ekipin shqiptar, me sfidën ndaj Lokomotivës së Moskës.
Kjo ndeshje, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u fitua nga rusët me rezultatin 3-0. Moskovitët, të cilët e nisën më mirë, e kanë gjetur golin pas 18 minutash lojë, me anë të Tarasovit. Me këtë gol do të mbyllet pjesa e para, ndërsa ato të dytat do të shohin Skënderbeun më kërkues, por të paqartë në finalizimin e aksioneve, ndërsa rusët më pragmatistë në lojën e tyre.
Dhe minutat e fundit do të rezultojnë fatale për korçarët, pasi fillimisht Niaseja dhe më pas Samedovi, në 120 sekondat e fundit të kohës së rregullt, do ta mposhtin dy herë portierin Shehi dhe të shënojnë dy golat që vulosin fitoren 3-0 të Lokomotivës së Moskës.