AlbanianSport.com 24.08.2017 21:50
ASNN – Skënderbeu ka shkruar për herë të dytë historinë e futbollit shqiptar, duke u kualifikuar sërish për në fazën e grupeve të veprimtarisë së dytë të futbollit të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës. Pasi kishte marrë atë barazim 1-1 në Zagreb para dy javësh, Skënderbeu ka vijuar të marrë një tjetër barazim, këtë radhë pa gola, në Stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit.
Por kjo u ka mjaftuar korçarëve për të siguruar, për të dytën herë në 3 sezonet e fundit, vendin në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Në fakt, ka qenë një betejë taktike dhe një luftë nervash ajo e zhvilluar midis Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit të enjten, pasi korçarët kanë bërë një lojë mjaft të disiplinuar dhe kanë kapërcyer edhe pësimin e një goli të kroatëve, të anuluar në minutat e para për një ndërhyrje të parregullt.
Përveç kësaj, skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ka kapërcyer edhe luajtjen për afro 20 minuta me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Nimagës. Megjithatë, Skënderbeu është mbajtur deri në fund, duke marrë një barazim pa gola dhe bashkë me të edhe vendin në fazën tjetër të Ligës së Evropës. Shorti i fazës së grupeve hidhet të premten, duke nisur nga ora 13:00 në Monako.