AlbanianSport.com 10.01.2015 17:55
ASNN – Nga Spanja e largët, atje ku Skënderbeu po bën periudhën përgatitore, korçarët sinjale optimiste. Futbollisti: “Edhe me lojtarët që kemi në dispozicion, pa përforcime, përsëri ne do të jemi kampion”
Për futbollistin e Skënderbeut, Sabjen Lilaj, dy humbje në miqësore nuk janë shqetësim. Shumë më tepër kur humbjen kanë ardhur nga ekipe të njohura dhe me buxhete shumë herë më të mëdha se ai i Skënderbeut.
Lilaj, ashtu si Josa, edhe me këtë grup lojtarësh e shikon Skënderbeun kampion. Edhe në kushte kur nga ana tjetër pranon se, pas tre lojtarëve të larguar, ekipi ka nevojë edhe për të tjerë.
“Për të qenë akoma më i fortë”, pranon mesfushori i skuadrës sonë kampione në intervistën e dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Gazeta e Sportit”, intervistë që AlbanianSport,net jua sjell në dy pjesë dhe pjesa e parë është sot, ndërsa e dyta nesër.
– Lilaj, dy ndeshje të humbura njëra pas tjetrës për Skënderbeun…
– Bëhet fjalë për dy takime miqësore dhe jo ndeshje të kampionatit tonë. Duhet ta themi këtë gjë.
– Ndryshimi?
– I madh mendoj. Humbjet në ndeshje zyrtare, shumë më tepër në kampionat, janë krejt ndryshe nga një, apo më shumë humbje në miqësore. Ndeshje të cilat, në një fazë si kjo që po kalojmë, i duhen trajnerit për të parë të gjithë lojtarët që ka në grup. Por jo vetëm kaq, por janë ndeshje të cilat i duhen dhe futbollistëve për ta parë veten në raport me kushtet e lojës.
– Me këtë do të thoni se nuk e keni mendjen tek këto dy humbje edhe duke qenë në miqësore?
– Kjo është tjetër gjë. Sigurisht që trajneri, pas këtyre dy takimeve, ka pasur rezervat e veta për mënyrën e të luajturit. Por jo për rezultatin.
– Përse jo për rezultatin?
– Më lejoni të them se vetëm një ditë pasi kemi ardhur në këtë qytet spanjoll kemi luajtur ndeshjen e parë. Takim të cilin e kemi luajtur vetëm pas një seance stërvitore.
– Çfarë do të thoni me këtë?
– Thjesht të lodhur edhe nga rruga, por ajo që është më kryesorja kemi luajtur me një skuadër me përvojë të madhe edhe në ndeshjet evropiane. E shikoni pra se një humbje si kjo më një ekip të këtij niveli nuk duhet marr si dramë
– Edhe humbjen e dytë nuk duhet ta marrin të tillë?
– Sigurisht që po. Pastaj në këtë takim të dytë reagimi i të gjithë grupit ka qenë krejt ndryshe nga ndeshja e parë e humbur me belgët. Këtë besoj se e pranojnë të gjithë.
– Nga statistikat nuk ka pasur asnjë gjuajtje në portë të skuadrës suaj. Kjo tregon se reagimi paska qenë vetëm në qarkullimin e topit?
– Në fakt mua më rezultojnë dy raste për ekipin tonë. Por edhe të qarkullosh topin më një ekip me një buxhet jo të vogël si skuadra holandeze, me të cilën kemi luajtur, nuk është krejt e lehtë.
– Janë edhe tri ndeshje të tjera për t’u luajtur. Mund të shpresojmë për fitore të Skënderbeut?
– Skuadra në të gjitha takimet hynë në fushën e lojës vetëm për të fituar. Për ne e rendësishme në këto momente është të arrijmë gjendjen më të mirë fizike. Më pas vijnë të gjitha.
– Edhe fitoret?
– Pse jo. Unë besoj se kjo ka për të ndodhur edhe në kushte kur do të luajmë me skuadra të njohura në futbollin evropian.
Vijon nesër…