AlbanianSport.com 24.06.2015 16:05
Skënderbeu, Kukësi, Laçi dhe Partizani janë 4 skuadrat shqiptare që do të marrin pjesë në turet eliminatore të dy veprimtarive kontinentale, Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës. Ato kanë nisur përgatitjet prej 2 javësh tashmë, si përsa u përket stërvitjeve, ashtu edhe përforcimeve me lojtarë të rinj, në përpjekje për të kaluar të paktën një tur në këto veprimtari.
Katër ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në Kupat e Evropës kanë njohur tashmë kundërshtarët e tyre dhe kanë intensfikuar përgatitjet për sfidat që do të luajnë përgjatë 3 javëve të para të korrikut. Kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, e cila e mbrojti për herë të 5-të radhazi titullin, si asnjë skuadër deri më tani, është zhvendosur në Austri për një fazë përgatitore verore, duke preferuar ta luftojë të nxehtin me klimën alpine.
Korçarët kanë marrë në provë disa lojtarë brazilianë, ndërsa kanë zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore, duke fituar 2-1 ndaj rumunëve të Botosanit dhe duke humbur 0-1 përballë sllovakëve të Spartakut të Tërnavës. Skënderbeu do të ndeshet në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve me fituesen e duelit midis irlandezo-veriorëve të Krusejdërs dhe estonezëve të Levadias së Talinit.
Takimet do të luhen më 14 ose 15 qershor dhe 21 ose 22 qershor. Në Austri është zhvendosur për t’u stërvitur edhe nënkampionia e Shqipërisë, Kukësi, e cila do të ndeshet në turin e dytë të Ligës së Evropës me bjellorusët e Torpedos së Zhodinos, ndërsa dy takimet do të zhvillohen më 16 dhe 23 korrik 2015. Skuadra verilindore ka bërë ndryshime të mëdha, si përsa i përket organikës, ashtu edhe stafit teknik.
Ajo ka humbur 1-2 përballë Botosanit, në miqësoren e parë të zhvilluara deri më tani në Austri, duke vijuar të mundë 3-1 hungarezët e MTK Budapestit në të dytën. Ndërkaq, skuadra e dytë që do të luajë në Ligën e Evropës, por në turin e parë të saj, Laçi, është zhvendosur në Maqedoninë fqinje, në Ohër, në përgatitje për duelin e saj me azerët e Inter Bakusë, që do ta zhvillojë në dy ndeshje, më 2 dhe 9 korrik 2015.
Edhe kurbinasit, fitues të sapokurorëzuar të Kupës së Shqipërisë, kanë marrë përforcime dhe synojnë kalimin e turit. Ndërkaq, duket një mision i vështirë kalimi i turit për Partizanin, që, në rikthimin pas 7 vjetësh në Kupat e Evropës, gjen përballë norvegjezët e Stromsgodsetit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Starova, ka bërë disa përforcime cilësore, siç janë sulmuesi Sebino Plaku dhe mbrojtësi kuqezi, Ditmar Bicaj, por ka zgjedhur që përgatitjen për në Evropë ta bëjë në Shqipëri.