Gjergj Vyshka 11.04.2015 07:25
Trajneri Mirel Josa e ka cilësuar si ndeshje pa kthim atë ndaj Partizanit, pasi për kampionët vetëm fitorja bën punë në garën për titullin. Megjithatë kjo deklaratë e trajnerit Josa vjen për të karikuar akoma më shumë mjedisin, ndërsa në fakt në këtë përballje me Partizanin, Skënderbeu vjen me mungesa.
Ndaj të kuqve mungojnë për arsye pezullimi me kartonë Vangjeli dhe Abazi, si dhe Nimaga që mori kartonin e kuq ndaj Laçit. Sikur të mos mjaftojnë kartonët, korçarët kanë në dyshim dy mesfushorët Berisha dhe Progni, që munguan në Kukës në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
Pesë mungesa, që po të llogariten dhe ato të Peter e Ademir e çojnë në 7 numrin e futbollistëve që humbasin këtë duel, praktikisht një formacion i tërë. Megjithatë ka dhe një lajm të mirë për trajnerin Josa, i cili sheh t’i rikthehet qendërmbrojtësi Tefik Osmani, që ka lënë pas dëmtimin për të qenë i gatshëm në këtë 90 minutësh.
Gjithashtu me grupin është bashkuar edhe Enkel Alikaj, që shihet si një alternativë më shumë në mesfushën e kampionëve. Në një situatë të tillë për trajnerin Josa ndërtimi i formacionit është i vështirë, duke qenë se sinjalet e dhëna nga Jashanica, në veçanti në ndeshjen e Kupës, ndaj Kukësit nuk ishin të mira.