AlbanianSport.com 25/10/2018 09:45
ASNN – Pjesëmarrja në fazën e grupeve të Ligës së Evropës sezonin e kaluar, i ka sjellë fitime të majme skuadrës të Skënderbeut. Dje UEFA nxori të dhënat e përfitimit të secilit klub dhe skuadra kampione në fuqi e Shqipërisë, përfiton një shumë mbi 3.7 milionë Euro. Bëhet fjalë për 2.6 milionë Euro nga pjesëmarrja, si dhe përfitimet që kanë ardhur nga fitoret apo barazimet.
Aty ku në rastin e një fitoreje vlera e përfitimit është 260 mijë Euro, kurse për barazimin 120 mijë Euro. Ndërkohë, konfirmohet që, për herë të parë, Skënderbeu fitoi nga e drejta televizive një shumë prej 500 mijë euro dhe në këtë prizëm ka qenë më mirë se skuadrat e tjera të vendeve të vogla si ato maqedonase, bjelloruse, moldave apo izraelite.
Vetëm Evertoni anglez ka qenë më mirë nga Skënderbeu. Ekipi i Premier Ligës Angleze, edhe pse nuk e kaloi fazën e grupeve, siguroi 11 milionë Euro nga pjesëmarrja dhe e drejta televizive, shifër rekord për skuadrat që nuk e kaluan grupin. Në pikëpyetje mbetet përfitimi financiar nëse klubi i Skënderbeut do të pezullohet edhe nga Gjykata Sportive e Lozanës (CAS).
Sepse, nëse kjo gjykatë lë në fuqi vendimin e UEFA-s, atëherë Skënderbeu do të gjobitet me 1 milionë Euro, përveç pezullimit 10-vjeçar të dhënë nga komisionet disiplinore dhe të etikës të organizmit që qeveris futbollin kontinental.