Adriatik Balla 26.05.2015 10:40
Skënderbeu u ka dhënë fund festimeve për titullin “kampion” dhe ka nisur të mendojë për sezonin e ri, sidomos për ecurinë e tij në Ligën e Kampioneve, pra duke menduar për fazën përgatitore në kuadër të kësaj veprimtarie. Ashtu si vitet e shkuara, skuadra korçare do të akomodohet në Tirol të Austrisë për rreth 3 javë. Bardhekuqtë do të zhvendosen në Austri në datën 14 qershor 2015 dhe do ta përfundojnë fazën përgatitore në 7 korrik 2015.
Ky vendim është marrë për shkak të kushteve optimale që ofron klima malore në muajt më të nxehtë të vitit. Skuadra do të grumbullohet fillimisht në kompleksin “Tropikal” në Durrës përpara nisjes për në Austri ku do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore. Drejtuesit e klubit nuk kanë bërë ende me dije miqësoret e kampionëve, por aktualisht po punohet për caktimin e kundërshtarëve ndaj të cilëve Skënderbeu do të kryejë testet e fundit përpara nisjes së eliminatoreve të Ligës së Kampioneve.
Gjatë vitit të shkuar, korçarët zhvilluan 6 ndeshje miqësore të cilat shërbyen për të fituar formën optimale për ndeshjet evropiane. Pak ditë më parë, Skënderbeu fitoi titullin e 6- të “kampion” dhe të 5-tin rresht, duke regjistruar një arritje historike për futbollin shqiptar.