AlbanianSport.com 27.07.2015 18:55
ASNN – Skënderbeu niset drejt Moldavisë për ndeshjen me Milsamin dhe Hamdi Salihi kërkon një rezultat pozitiv edhe në fushë të huaj. Në fakt, që në debutimin e tij, ai shënoi dy gola. Sulmuesi shkodran shpreson ta ndihmojë sërish Skënderbeun edhe në turin e tretë të Ligës së Kampioneve.
Skuadra korçare do të luajë të martën në fushë të huaj kundër moldavëve të Milsamit dhe sfida e parë është shumë e rëndësishme në objektivin historik për t’u kualifikuar për në fazën e “play-off”-it. Salihi ishte përforcimi më i rëndësishëm i Skënderbeut për Ligën e Kampioneve.
Ende nuk e di nëse do të qëndrojë edhe në sezonin e Kategorisë Superiore, por nëse aventura evropiane vazhdon, atëherë zgjedhja e tij do të ishte më e lehtë. Skënderbeu zhvilloi edhe seancën e fundit stërvitore pasditen e së dielës, ditë kjo që u shoqërua me shumë lajme në merkato.
Kampionët ishin shumë pranë huazamit të kapitenit të Tiranës, Ervin Bulku, por kalimi i tij te korçarët vetëm për Kupat e Evropës u bllokua vetëm në fund nga klubi bardheblu. Me këtë çështje të zgjidhur trajneri Josa dhe skuadra e tij udhëtuan paraditen e së hënës me avion “çarter” drejt Kishinjevit.
Në kryeqytetin moldav, skuadra korçare ka në program edhe një seancë në stadiumin e ndeshjes. Ndeshja e parë, e vlefshme për turin e tretë të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Ligës së Kampioneve, Milsami-Skënderbeu do të luhet të martën në orën 19:00.