AlbanianSport.com 03.03.2015 22:10
ASNN – Skënderbeu ndeshet të mërkurën me Tiranën në Korçë dhe trajneri Mirel Josa ka kërkuar nga skuadra përqendrim të plotë në prag të kësaj sfide. “Kjo është një ndeshje si të gjitha takimet e këtij sezoni, – ka deklaruar ai. – Ne në asnjë rast nuk i kemi ndarë takimet, në të forta dhe një pjesë tjetër pak më të lehta për t’u kaluar. Për ne të gjitha takimet janë të forta. Sigurisht që ka një farë ndryshimi nga takimet e tjera. Sepse Tirana, për të gjithë, është skuadra për t’u respektuar në maksimum. Ekip që këtë sezon kërkon maksimumin e këtij kampionati.”
“Fakti që është në krye të renditjes e tregon një gjë të tillë, – ka vijuar ish-trajneri i bardhebluve. – Ne luajmë vetëm për ta fituar këtë ndeshje. Dhe do ta fitojmë, jam i bindur për këtë.” Mungesa e energjisë elektrike në stadium, gjatë këtyre ditëve, edhe për trajnerin ka qenë një farë shqetësimi. Por për fatin e mirë ka gjetur mirëkuptimin e të gjithë lojtarëve. Në fakt, Josa nuk ka preferuar të merret me çështjen e problemit të Stadiumit me OSHEE-në. “Nuk mund të them se nuk na ka ndikuar çështja e energjisë”. – ka thënë ai.
“Nga njëra anë mungesa e ujit të ngrohtë në stadium, por shumë më tepër ftohtësia në dhomën e zhveshjes i ka bërë lojtarët të mos ndjehen krejt të qetë. Por më duhet t’i falënderoj të gjithë për mirëkuptimin. Nuk jam në gjendje të them nëse kemi biseduar për këtë problem, apo për diçka tjetër. Më duket se më tepër kemi folur për ndeshjen me tiranasit se sa për mungesën e energjisë, pasi për këtë të fundit kemi marrë garancinë nga zyrtarët e klubit se do të vijnë shumë shpejt. Sidoqoftë, vijnë dritat, nuk vijnë dritat, ky nuk është problemi im”, – ka përfunduar Josa.