AlbanianSport.com 13.10.2014 17:05
ASNN – Sigurisht që është i shqetësuar gjatë kësaj periudhe dhe ky është trajneri Mirel Josa, që në çdo seancë stërvitore kërkon të marrë më të mirën nga të tijtë. Përveç stërvitjeve, kreu i stolit korçar është duke parë me vëmendje edhe gjendjen e disa lojtarëve, që pak kanë luajtur deri tani në 7-të javët e para. Dihet që disa prej tyre duhet të jenë gati për të nisur si titullarë jo vetëm në ndeshjen e Vlorës, por edhe në javët në vijim, pasi shumë titullarë janë ngarkuar me kartonë të verdhë.
Edhe në seancën e mesditës së të shtunës, Josa është parë të përkushtohet më shumë ndaj të tijve dhe ka drejtuar i vetëm seancën, pas mungesës disa ditore të përgatitësit atletik, Iris Selimi dhe trajnerit të portierëve Ilir Bozhiqi. Nga fundi i javës që vjen kryepankina do ta ketë të qartë 11-shin, ndërkohë që sigurisht është në merak pasi për Skënderbeun ka ardhur momenti që duhet të gabojë sa më pak. Për sa i përket presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, gjatë gjithë kësaj jave që lamë pas nuk ka folur asnjë gjysmë fjale për ekipin e tij, edhe për atë se edhe “bosi” është duke pritur përfundimin e ndeshjes me Flamurtarin për të thënë më pas fjalën e tij.
Barazimi i fundit në shtëpi ndaj Tiranës vazhdon të mos i ketë lënë shije të mirë Takajt, që nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat qysh pas asaj dite. Vetë Takaj priste që në javën e 7-të të shikonte Skënderbeun e vërtetë, por e pamë vetëm në lojë, pasi në rezultat, akoma skuadra kampione nuk po e gjen veten. Ndoshta Vlora do të jetë kthesa e korçarëve! Në fund të fundit ky Skënderbeu është ndërtuar për kampion dhe nuk ka vetëm 11-të lojtarë, por ka edhe një stol që do ta kishin zili shumë skuadra të tjera të kësaj Kategorie Superiore. Ka ardhur momenti që pankina korçare të zgjohet.