Adriatik Balla 02.08.2015 09:35
Incidentet e ndodhura në ndeshjen Kukësi-Legia e Varshavës i kanë detyruar drejtuesit e Skënderbeut të hartojnë një plan të detajuar masash për të evituar ngjarjet e dhunshme që mund të dëmtojnë klubin korçar gjatë rrugëtimit evropian.
Pas fitores së ndeshjes së parë 2-0 në fushën e Milsamit, në “Elbasan Arena” do të konsumohet ndeshja e kthimit ku organizatorët që janë klubi vendas, u bëjnë thirrje të gjithë tifozëve që të mbështesin skuadrën e tyre masivisht në stadiumin e Elbasanit.
Në një komunikatë të publikuar në kampionët e vendit theksohet: “Dëshirojmë t’ju bëjmë thirrje për qetësi, para dhe gjatë zhvillimit të ndeshjes. Klubi jonë në bashkëpunim me instancat përkatëse po merr masat e duhura për zhvillimin normal të ndeshjes.”
“Por, mbi të gjitha, shpresojmë që tifozeria jonë të përcjellë kulturën e zakonshme duke mos u bërë pjesë e incidenteve që mund të dënojnë klubin dhe të ndërpresin këtë ëndërr të madhe europiane”, – thuhet në qëndrimin e klubit të Skënderbeut.
Është ky në fakt një apel ndaj tifozerisë për të qenë vigjilente dhe të mos bëjë akte apo episode që i japin shkas UEFA-s të marrë masë ndëshkimore që mund të prishin ëndrrën e skuadrës korçare për të luajtur në Ligën e Kampioneve apo atë të Evropës.