AlbanianSport.com 19.12.2015 18:15
ASNN – Skënderbeu ka mundur minimalisht Partizanin të shtunën, në takimin e zhvilluar në kuadër të javës së 17-të të Kategorisë Superiore, duke marrë i vetë kreun e renditjes, me 43 pikë. Takimi i luajtur në Stadiumin e Korçës dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është vendosur nga një gol i Olajinkës në pjesën e parë.
Në atë që ishte padyshim dueli më i rëndësishëm i fazës së dytë, por edhe gjysmës së parë të këtij sezoni të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Skënderbeu ka mundur Partizanin me një gol të vetëm të Olajinkës, duke marrë tashmë i vetëm kreun e renditjes, në kuotën e 43 pikëve.
Takimi midis Skënderbeut dhe Partizanit, që u luajt në Stadiumin e Korçës dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka qenë i një niveli mesatar përsa i përket lojës, çka është reflektuar në numrin e paktë të rasteve për shënim.
Megjithatë, Skënderbeu ka gjetur rrugën e rrjetës pas 11 minutash lojë, kur një harkim i saktë i Prognit ka gjetur në zonën e Partizanit nigerianin Piter Olajinka, i cili godet bukur me kokë, duke mposhtur portierin e të kuqve, Alban Hoxha dhe duke përshëndetur rrjetën. Skënderbeu kryeson kështu 1-0 dhe me këtë epërsi mininale të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para.
Ndërsa ato të dytat do të shohin kampionët në fuqi të kënaqur të administrojnë fitore përballë kryeqytetasve, të cilët janë të paqartë në lojën e tyre. Përfundimisht, Skënderbeu korr fitoren e 13-të në këto 17 javë kampionat, duke dëshmuar se nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë kurorën e kampiones.