AlbanianSport.com 01.10.2015 21:00
ASNN – Skënderbeu është mundur edhe në takimin e dytë të grupit H të Eliminatoreve të Ligës së Evropës, duke u dorëzuar në Rusi përballë Lokomotivës së Moskës me shifrat 0-2. Nga një gol për secilën pjesë loje u ka mjaftuar moskovitëve për të siguruar fitoren në takimin që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili po përcjell këtë sezon emocionet e veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit.
Përvoja, apo më saktë, mungesa e saj, duket se po e ndëshkon kampionen e Shqipërisë, Skënderbeun, e cila ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e dytë të saj në grupin H të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit. Korçarët janë mundur 0-2 në Moskë prballë Lokomotivës vendase, të cilës i ka mjaftuar nga një gol për secilën pjesë loje për të siguruar fitoren në takimin që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili po përcjell këtë sezon emocionet e veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit.
Në fakt, përkundër asaj që ka zhvilluar një lojë përgjithësisht të admirueshme për një skuadër shqiptare që merr pjesë për herë të parë në fazën e grupeve të një veprimtarie madhore kontinentale, Skënderbeu ka vuajtur gabimet dhe rusët kanë kaluar në epërsi në minutën e 35-të, me anë të Niasesë. Me këtë epërsi njëgolëshe të rusëve janë mbyllur 45 minutat e para, ndërsa ata të dytat, të paktën në gjysmën e parë të tyre, kanë folur për Skënderbeun, që ka patur edhe mundësi për të barazuar rezultatin, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës.
Në krahun tjetër, rusët do të jenë më rezultativë në 20 minutat e fundit, duke gjetur edhe një tjetër gol. Në fakt, ky gol, me autor Samedovin, ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje midis portierit të korçarëve, Shehi, dhe mbrojtësin e tij, Abazi. Në përfundim, Skënderbeu është mundur me rezultatin 0-2, duke pësuar kështu humbjen e dytë radhazi dhe duke zbritur në fundin e renditjes së grupit H, me 0 pikë. Lokomotiva e Moskës kryeson me pikë të plota 6, e ndjekur nga Beshiktashi me 4 dhe Sportingu i Lisbonës, me një pikë të vetme.