AlbanianSport.com 02.02.2016 13:45
ASNN – Në ditën e fundit të transferimeve ka ardhur edhe përforcimi i madh i Skënderbeut, që ka marrë sulmuesin Xhejms Adeniji nga Laçi. Dy klubet ranë dakord për një lëvizje që ishte lajmëruar që më parë, por që ishte hedhur poshtë nga presidentët dhe dukej se nuk do të ndodhte.
Nuk jepen shifra mbi kalimin e njërit prej sulmuesve më të mirë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, por, sipas raporteve të mediave, e sigurt është që Presidenti i Skënderbeut, Takaj, deshi një forcim të shpejtë të skuadrës së tij, të dobësuar nga largimi i Peter Olajinkës dhe Bernard Berishës.
Takaj duhet të ketë mbetur i shqetësuar nga barazimi në Shkodër me Vllazninë për Kupën, dhe sidomos nga humbja po në Shkodër për kampionat. Me financa shumë të mira pas fitimeve në Evropë dhe shitjes së dy sulmuesve, Skënderbeu nuk e pati problem të plotësonte kërkesat e Laçit dhe të vetë Xhejmsit.