AlbanianSport.com 09.09.2015 23:35
ASNN – Skënderbeu e ka fituar ndeshjen e prapambetur të javës së parë me Vllazninë dhe ekipi “kampion” në fuqi mundi skuadrën shkodrane me rezultatin 1-0, në sfidën e zhvilluar sot në Stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Vllaznia nuk ka ende një stadium ku të luajë, pasi fusha “Reshit Rusi” nuk është liçensuar dhe stadiumi “Loro Boriçi” po rikonstruktohet. Goli i vetëm i përballjes u shënuar nga Renato Arapi në pjesën e parë. Skënderbeu me këtë fitore shkon në kuotën e gjashtë pikëve, aq sa Teuta kryesuese.
Vllaznia mbetet pa pikë në 2 javë kampionat. Ndeshjen e ardhshme Skënderbeu e ka me Tërbunin, po në Pukë, ndërsa Vllaznia do të presë Partizanin. Në fakt, duket se pjesëmarrja në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve vetëm sa e vonoi. Por Skënderbeu konfirmoi se ngjitja në krye të Superiores ishte vetëm çështje kohe. Në ndeshjen e prapambetur të javës së parë kampionët shqiptarë mundën 1-0 Vllazninë. Goli i Arapit në minutën e 15-të vendosi fatin e sfidës të luajtur në fushën asnjëanëse të Pukës.
Më pas gjithçka ishte e lehtë për të besuarit e Mirel Josës, që shpërdoruan në mënyrë konstante aksionet për të dyfishuar rezutatin. Salihi në dy raste brenda një minute nuk arriti të shënojë golin e qetësisë. Mbyllet këtu ndeshja për sulmuesin që la fushën i dëmtuar. Gjithsesi, largimi i tij nuk zbehu lojën e korçarëve, që megjithë përpjekjen duhet të kënaqeshin me epërsinë minimale në pjesën e parë.
Nuk ndryshon asgjë me rikthimin në fushë. Vllaznia nuk e shqetëson aspak epërsinë e Skënderbeut, ndërsa të besuarit e Josës nuk arrijnë të mbyllin sfidën. Lilaj në dy raste fotokopje të nisur nga Berisha, nuk finalizoi si duhet. Nuk bën më shumë edhe Nimaga që shpërdoron edhe rastin e fundit të vërtetë për shënim. Sidoqoftë, goli i Arapit i mjafton Skënderbeut që t’i bashkohet me pikë të plota Teutës në krye të renditjes së Kategorisë Superiore.
Ndryshe është puna për Vllazninë, shumë larg objektivit të saj për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.