AlbanianSport.com 18.08.2015 14:40
ASNN – Nëpërmjet një komunikate të shpërndarë për shtyp, Policia e Elbasanit ka bërë të ditur këtë të martë masat, që do të ndërmarrë për të mërkurën, për zhvillimin normal të ndeshjes mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit, e vlefshme për fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, që do të nisë në orën 20:45.
Autoritetet kanë njoftuar se do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në disa segmente rrugore. Më saktësisht, do të bllokohet shëtitorja nga stadiumi deri tek “1 Maji”, si dhe nga Bashkia deri në dalje të Unazës. Ndërkaq, nuk do të lejohen parkimet në sheshin përpara Pallatit të Sportit, nga rrethrrotullimi i luleve deri te rrethrrotullimi i Zaranikës, si dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve para stadiumit.
Gjithashtu është njoftuar se, tifozët do të fillojnë të hyjnë në stadium dy orë para fillimit të ndeshjes, masë kjo që synon shmangien e radhëve në hyrje. Priten të angazhohen 140 punonjës policie nga FNSH-ja, 40 punonjës policie nga Qarkullimi Rrugor, 140 policë Rendi, 50 nga seksioni i Parandalimit të Krimeve dhe 50 të tjerë nga disa drejtori të tjera.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se, personave në stadium do t’iu ndalohet të kenë me vete sende të forta, përfshi shishe të çfarëdo lloji dhe fishekzjarre. Ndërkaq, të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit do të mbyllen nga ora 18:00 e deri në përfundim të ndeshjes.