Adriatik Balla 15.08.2015 08:30
Klubi i Skënderbeu do të nxjerrë sot në shitje biletat për ndeshjen e parë të “play-off”-it të Ligës së Kampioneve ndaj Dinamos së Zagrebit, duke bërë të ditur njëherazi edhe çmimin e biletave sipas sektorëve të ndryshëm të Stadiumit “Elbasan Arena”. Shitja e biletave do të bëhet që sot, por informacionet paraprake flasin për një kaos me pikat e shitjes, si pasojë e interesimit të pazakontë në Korçë dhe në Elbasan për bileta.
Madje ka interesime dhe në Tiranë, kështu që klubi korçar do të duhet të menaxhojë një numër rekord biletash, nga të cilat 5% me rregullore të UEFA-s dhe që dihet tashmë i takojnë klubit mik, pra kroatëve të Dinamos së Zagrebit. E përkthyer në shifra, klubi kampion i Kroacisë ka të drejtë të sjellë në “Elbasan Arena” deri në 700 tifozë, por kroatët kanë kërkuar një numër më të madh nëse e lejojnë mundësitë.
Në kapacitetin prej 12,500 spektatorësh që është maksimalja e “Elbasan Arenës”, këtë herë nuk pritet të ketë vende të lira dhe pikërisht më 19 gusht pritet që ky impiant të mbushet njëlloj sikurse kur luan ekipi kombëtar. Përfitimet nga të ardhurat prej shitjes së biletave do të ndahen sipas rregulloreve në fuqi, por për klubin korçar ky pritet të jetë një vit i begatë në çdo drejtim sa i takon financave.