Gjergj Vyshka 11.04.2015 11:45
Futbolli shqiptar prej kohësh është në kërkim të tifozëve, por në këtë kampionat, atje ku gara për titullin “kampion” është më e zjarrtë se kurrë, në sfida të veçanta ndodh që stadiumet të mos i plotësojnë kërkesat për bileta. Skënderbeu-Partizani, kryesfida e javës së 30-të të Kategorisë Superiore, ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm tek tifozët korçarë.
E për më tepër edhe tek ata të kuq, që kanë nisur prej ditësh të organizohen për të udhëtuar drejt Juglindjes. Mirëpo në rregulloren e futbollit shkruhet se ekipit udhëtues i takojnë vetëm 5% të kapacitetit të stadiumit, që do të thotë se Partizani nuk mund të ketë më shumë se 300 tifozë. Zyra për shtyp e klubit të kuq sqaron se tashmë 300 bileta u janë shpërndarë tifozëve.
Por kërkesat janë për shumë më tepër, ose më saktë janë edhe 600 tifozë të tjerë të Partizanit që ngulmojnë të udhëtojnë drejt Korcës. Përfaqësuesit e skuadrës kryeqytetase u kanë kërkuar zyrtarisht homologëve korçarë që të rezervojnë më shumë bileta për tifozët e kuq, por përgjigjja ka qenë negative, pasi interesimi nga mbështetësit e Skënderbeut është maksimal.