AlbanianSport.com 16.09.2015 14:35
ASNN – Ndryshe nga Kombëtarja, edhe pse është një risi historike për klubet shqiptare, Liga e Evropës nuk ka sjellë radhë për biletat. Në Elbasan e Korçë tifozët e blejnë me nge hyrjen për në përballjen e Skënderbeut. Që nga e enjtja e kaluar e deri tani, mësohet se janë shitur dy të tretat, ndërsa interesimi mund të rritet ditën e ndeshjes.
Nga 12,500 që parashikohet kapaciteti i stadiumit, rreth 8,500 vende janë tashmë të zëna. Në sportelin e “Elbasan Arenës” ka ende mundësi për dashamirësit e futbollit, dhe përveç elbasanasve bileta kanë blerë e pritet të blejnë edhe mjaft turq. Bëhet fjalë për punonjës të kompanive turke në Elbasan, Tiranë apo tjetërkund në Shqipëri.
Edhe më pak interesim në Korçë. Biletaria nuk është sulmuar siç ndodhi kur Skënderbeu provoi shansin për të hyrë në Ligën e Kampionëve përballë Dinamos së Zagrebit. Ndoshta, entuziazmi është zbehur nga dy humbjet e kampionëve ndaj kroatëve, sidomos nga e dyta me rezultatin 1-4.
Në Korçë mësohet se janë shitur 1 200 bileta, shumë më pak se për takimin ndaj Dinamos. Pritet që në Elbasan të ketë më shumë korçarë nga Tirana, por edhe qytetarë elbasanas si dhe nga zona të tjera të Shqipërisë.