Adriatik Balla 07.05.2015 12:30
ASNN – Ndeshja më e rëndësishme e fundjavës në kuadër të javës së 34-t të Kategorisë Superiore është ajo midis Tiranës dhe Skënderbeut që luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, një takim që është emocional për të dyja ekipet, më shumë për faktin e Tirana ka humbur shansin për të garuar për titull, pasi barazoi në derbin me Partizanin në kuadër të javës së 33-të dhe tani lufton me Skënderbeun, thjesht për ta mundur dhe për të fituar pikë nga ana morale si “kampione” e merituar e titullit.
Sidoqoftë, Skënderbeu duket më i motivuar se kurrë për të fituar ndeshjen ndaj rivales së vjetër në kryeqytet dhe këtë e konfirmon edhe mesfushori i dalluar këtë sezon në radhët e ekipit korçar, Bernard Berisha. Ai është njeriu i momentit te skuadra e Skënderbeut, është futbollisti që çdo trajner do të dëshironte ta kishte në organikë. Në Kukës nxorri Smajlin me karton të kuq si dhe dha pasimin për golin e Lilajt që vendosi sfidën, ndërsa ndaj Teutës shënoi golin e 3-të në fitoren 4-2 të skuadrës së Mirel Josës.
Vetë 23-vjeçari veçon finalizimin ndaj “Djemve të Detit” si momentin më të rëndësishëm, pasi ai sukses e çoi 5 pikë diferencën me Tiranën. “Mendoj se goli me Teutën ishte më i rëndësishmi, sepse fituam dhe u shkëputëm nga Tirana”, – tha ai për të përditshmen shqiptare, “Sot”. Titulli për të pestin vit radhazi ka marrë rrugën drejt Korçës mirëpo dëshira e Berishës është që trofeu i kampionit të sigurohet matematikisht në takimin e kësaj fundjave me Tiranën.
“Ne duam që të shkojmë të qetë në dy ndeshjet e fundit, prandaj synimi ynë është të fitojmë me Tiranën”, – ka deklaruar mesfushori kosovar i korçarëve. – Sidoqoftë, e rëndësishme është të mos humbasim.” Kalimi nga Besa te Skënderbeu verën e kaluar rezultoi një hap shumë i rëndësishëm në karrierë për Berishën, i cili e pranon se me kampionët e Shqipërisë ka fituar më shumë eksperiencë. “Unë jam i njëjti futbollist, vetëm se te Skënderbeu mendoj se jam rritur më shumë profesionalisht”, – pohon Berisha.
“Këtu ka më shumë lojtarë cilësorë prej të cilëve mund të përfitoj shumë”, – shtoi futbollisti kosovar. Në fund të sezonit, përfundon edhe kontrata e Berishës me Skënderbeun, por ky nuk është momenti i duhur për të folur për të ardhmen. Duhet thënë se Berisha ka qenë vendimtar sidomos në ndeshjet e rëndësishme që Skënderbeu ka zhvilluar ndaj Kukësit, Partizanit dhe ndaj Flamurtarit, duke shënuar gola të rëndësishëm dhe me peshë, por edhe duke ndihmuar ekipin e tij të arrijë objektivat.
Kjo provohet nga fakti se Skënderbeu po shkon i qetë drejt titullit “kampion” dhe i pashqetësuar nga rivalët e tjerë, të cilët po bëjnë hesapet e tyre në këtë fundkampionati për pjesëmarrje në Ligën e Evropës. Skuadra juglindore, e drejtuar nga trajneri kryeqytetas, Mirel Josa, pritet të fitojë këtë sezon titullin e 5-të radhazi në kampionat, një sukses që nuk e ka arritur askush më parë, madje as ekipet e kryeqytetit në kohën e tyre më të mirë.
Për Skënderbeun, ky është një rekord në kampionatin shqiptar dhe padyshim ë skuadra korçare e ka merituar këtë. Këtë sezon ka qenë ekipi më i qëndrueshëm, ka luajtur futbollin më të bukur, ka bindur më shumë sportdashësit dhe ka pasur një përkrahje të madhe nga tifozët e tij. Të gjitha këto vërtetojnë se Skënderbeu ishte ekipi më i kompletuar i sezonit.