AlbanianSport.com 05.08.2015 22:35
ASNN – Kampionia e Shqipëria, Skënderbeu, ka shkruar sonte historinë, duke u bërë e para skuadër shqiptare që arrin në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve. Korçarët, të cilët e patën fituar ndeshjen e parë në Moldavi me dy gola të Salihit, kanë vijuar të fitojnë me të njëjtat shifra edhe në takimin e kthimit ndaj Milsamit, që u luajt në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Në fakt, fati i ndeshjes së kthimit të turit të tretë të Ligës së Kampioneve, u vendos pas një çerek ore lojë, kur skuadra moldave mbeti me 10 lojtarë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të një lojtari të saj. Menjëherë pas kartonit të kuq, Skënderbeu ka gjetur golin e parë, kur Hamdi Salihi ka përfituar nga një pasiguri e portierit mik dhe ka përshëndetur rrjetën.
Me këtë epërsi njëgolëshe të korçarëve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Skënderbeu do të gjejë edhe golin e dytë, me autor Prognin. Ky gol ka vulosur praktikisht fitoren e kampionëve të Shqipërisë, të cilët vijojnë ta administrojnë fitoren dhe sigurojnë kualifikimin.