AlbanianSport.com 01.05.2016 14:20
ASNN – Skënderbeu dje ka arritur një barazim dramatik dhe të diskutuar në minutën e katër shtesë të ndeshjes, teksa kosovarja Albina Rrahmani ka realizuar një perlë pas një goditjeje dënimi duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke barazuar epërsinë e mikeshave. Ndeshja e djeshme mes Skënderbeut dhe Tiranës ka qenë vërtetë e bukur e luftuar, me ndërprerje të ndeshjes, gjashtë kartonë të verdhë, tre të kuq, dy gola dhe raste për Skënderbeun që mund dhe duhet ta kishte fituar këtë ndeshje të luajtur në aneksin e stadiumit korçar.
Takimi ka nisur i bukur dhe që në nisje janë korçaret që kërkojnë epërsinë teksa rastin më të pastër e ka pasur Popa në minutën e 18-të, por që nuk arrin ta çojë topin në rrjetë. Në të 21-ën minutë, ndizet sfida teksa Vishkulli ndëshkohet me karton të verdhë. Një lojtare që ka sjellë tension gjatë gjithë ndeshjes, pasi debatonte herë pas herë me tifozët dhe gjyqtaren. 6 minuta më vonë, pas një faulli, Aliu shan dhe ofendon gjyqtaren kryesore dhe ndëshkohet me kartonin e kuq duke lënë ekipin me 10 futbollistë. Këtu ndeshja ndërpritet për afro 10 minuta, pasi mikeshat pretendonin që shaheshin nga tifozët.
Pretendime ka pasur pa fund nga Tirana, ndërkohë që gjyqtarja zgjedh mënyrën e kartonëve për të qetësuar lojën. Pjesa e parë mbyllet me barazimin e bardhë 0-0. Në pjesën e dytë, kur të gjithë prisnin golin e korçareve, janë kryeqytetaset që shënojnë me anë të Kodrës, në të 53-ën minutë, duke i shtangur të gjithë. Pas këtij momenti, Skënderbeu hidhet në sulm, por pa shumë rrezikshmëri në portën mike, pasi Myrtollari dhe Qylalli nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Gjyqtarja durrsake jep tre minuta shtesë, ndërkohë në fund fitohet një goditje dënimi ballore përballë zonës kryeqytetase.
Ndodh një acarim mes Popës dhe Vishkullit dhe të dyja largohen me kartonin e kuq. Në të 94-n minutë, pra një minutë jashtë shtesës, blerja e parë e projektit të Skënderbeut të madh për sezonin e ardhshëm, Albina Rrahmani, ekzekuton saktësisht në portë, duke barazuar rezultatin dhe duke shtangur mikeshat nga kryeqyteti që nuk e priteshin se do të ndaleshin në Korçë. Një barazim më shumë se i merituar i vajzave korçare të drejtuara nga Stavrion Lako, që në fakt dje duhet të kishin fituar ndaj Tiranës. Në këtë mënyrë ky sezon në Korçë mbyllet me barazim, teksa Skënderbeu javën e ardhshme do të luajë në vizitën e kryeqytetit ndaj Dajtit.
Skënderbeu – Tirana 1-1
Shënues: Rrahmani 90’+4 / Kodra 53’
Skënderbeu: Sula, Rrahmani, Kasa, Zizolli, M. Niçku, Zere, Morava (Kullira 58’), Shkëmbi (J. Niçku 46’), Qylalli, Myrtollari, Popa. Trajner: S. Lako
Tirana: Dede, Koldashi, Tota, Beqiraga, Vishkulli, Mema, Aliu, Kotarja, E. Kolgjini, Kodra, Leba. Trajner: A. Gega
Gjyqtarë: M. Çemeri, K. Gjyli, E. Kapxhiu (Durrës)
Kartonë të verdhë: Popa, Zere, Qylalli, Rrahmani / Vishkulli, Kodra
Kartonë të kuq: Popa / Aliu, Vishkulli
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 17-të
(30 prill 2016)
Të shtunën:
Vllaznia – Juban Danja 4-1
The Door – Teuta 3-0
Apolonia – Kinostudio 1-1
Skënderbeu – Tirana AS 1-1
AAS – Dajti 2-0 (e ndërprerë në minutën e 55-të)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Vllaznia 17 17 0 0 130-2 51
- Kinostudio 17 11 2 4 89-30 35
- Tirana AS 17 11 3 3 74-25 36
- Apolonia 17 10 3 4 66-21 33
- The Door 17 10 3 4 49-29 33
- Juban Danja 17 7 2 8 43-34 23
- Skënderbeu 17 7 1 9 35-53 22
- Teuta 17 2 0 15 13-87 6
- AAS 16 2 0 14 13-107 6
- Dajti 16 0 0 16 4-139 0