AlbanianSport.com 16/10/2018 18:00
ASNN – Telenovela “Skënderbeu” në Arbitrazh vijon, KAS-i nuk e ka në listë as për muajin nëntor. Këshilli i Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (KAS), duket se nuk po merret seriozisht me çështjen e Skënderbeut, përderisa kanë kaluar kaq muaj dhe ende nuk ka një njoftim se kur do të merret një vendim nga kjo gjykatë për çështjen e dënimit të Skënderbeut nga UEFA.
Siç dihet, UEFA e ka pezulluar Skënderbeun për 10 vjet nga veprimtaritë e saj, si dhe e ka gjobitur me një shumë prej 1 milion eurosh, një masë drastike e padhënë më parë për ndonjë klub në Evropë. Shkak është akuza për trukim ndeshjesh, një fenomen për të cilin UEFA nuk toleron dhe për rastin e Skënderbeut e bëri shembull. Por klubi korçar e ka çuar çështjen në Gjykatën Sportive të Lozanës.
E ka bërë këtë duke pretenduar t’i hiqet dënimi dhe me pretendimin se është i pastër dhe nuk është përfshirë në trukim ndeshjesh. KAS-i në fillim e mori seriozisht këtë çështje, ku fillimisht pezulloi Skënderbeun të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve për këtë edicion dhe ku vendin e korçarëve e mori Kukësi. Por me kalimin e kohës duket si një nga problematikat e harruara.
Kanë kaluar gati pesë muaj që nga dhënia e vendimit të UEFA-s dhe KAS-i ende nuk ka dalë me një qëndrim. Mësohet së fundmi se Gjykata Sportive e Lozanës nuk e ka përfshirë çështjen e Skënderbeut as në vendimet që do të merret gjatë muajit nëntor, që do të thotë se Skënderbeu nuk do ta mësojë fatin e tij pa ardhur data 1 dhjetor. E ndërsa KAS-i po vonon dhënien e një vendimi, pasiguria në klubin korçar sa vjen e rritet.