AlbanianSport.com 02.01.2017 14:10
ASNN – Gjithçka ka ardhur në qetësi, siç duket, me pajtimin, me hir a me pahir të palëve. Kështu, Ilir Daja pritet të zyrtarizohet shumë shpejt si trajneri i ri i Skënderbeut. Pas lajmeve se italiani Andrea Agostineli nuk do të kthehej më në Korçë, mësohet se ish-trajneri i Tiranës, të jetë zëvendësuesi i tij të paktën deri në përfundim të sezonit.
Skënderbeu do të nisë më 6 janar 2017 fazën përgatitore në Antalia të Turqisë, ku do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore. Në fakt, pozitat e Andrea Agostinelit u lëkundën edhe në nëntor, por u vendos që trajnerit t’i jepej edhe më shumë kohë. Skënderbeu është në vendin e 3-të në kampionat.
Në 18 ndeshje, skuadra korçare ka fituar 9 prej tyre, ka barazuar 5 dhe i ka humbur 4 të tjerat. Disfatat e fundit ishin me rivalë direkt në betejën për titullin, të tillë si Kukësi dhe Partizani. Ndërkohë, Ilir Daja është një prej trajnerëve me përvojë në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet ndryshe si Kategoria Superiore.
Ai është shpallur dy herë “kampion” me dy ekipe të ndryshme, fillimisht me Elbasanin ne sezonin 2005- 2006 dhe, më pas, me Dinamon në sezonin 2007-2008. Në fakt, emërimi i tij në krye të stolit të Skënderbeut është si “rrokadë”, pasi ish-trajneri i Skënderbeut sezonin e shkuar, Mirel Josën, zëvendësoi në mes të sezonit Dajën tek Tirana.