AlbanianSport.com 23/11/2018 16:15
ASNN – Gazeta e njohur gjermane “Der Spiegel” ka publikuar sot një lajm tronditës: Serxhio Ramos ka përdorur substancë të ndaluar para finales së madhe në Ligën e Kampioneve ndaj Juventusit në vitin 2017. Gazeta në fjalë i referohet platformës “Football Leaks”, i cili po zbulon përditë raste skandaloze të abuzimit të zyrtarëve të UEFA-s e FIFA-s si dhe shkeljen e rregullave nga klubet e mëdha e së fundmi edhe duke mbyllur “sytë” para një skandali sikurse është përdorimi i dopingut.
Mësohet se mbrojtësi i Realit Serxhio Ramos, është kapur me desametazon, një substancë që UEFA e ka në listën e elementëve të ndaluar. Gjithçka ka ndodhur para finales së 3 qershorit 2017 në Kardif, ku Reali mposhti Juven dhe fitoi titullin e “kampionit” të Evropës. Por menjëherë reagoi klubi i Realit të Madridit, duke thënë se lojtari nuk i ka thyer asnjëherë rregullat. “Ramosi nuk i ka thyer asnjëherë rregullat e kontrollit anti-doping”, – shkruan klubi spanjoll.
“UEFA kërkoi informacion në kohë dhe e mbylli çështjen menjëherë, siç ndodh zakonisht në këto raste, pas verifikimit nga ekspertët e Agjencisë Botërore Anti-Doping, apo dhe vetë UEFA-s. Lidhur me pjesën tjetër të përmbajtjes së botimit të lartpërmendur, klubi nuk shprehet përpara provave të natyrës të pakuptueshme”, – përfundon deklarata e klubit të Realit të Madridit. Është fare e qartë se diçka e rëndë ka ndodhur.
Për më tepër, pak kohë më parë Ramos u kritikua se i ishte shmangur një kontrolli anti-doping, sepse ishte futur të bënte dush kur ekspertët anti-doping e kishin lajmëruar se duhej të vihej në dispozicion të tyre (larja para testit është shmangie nga e vërteta). Përveç Ramosit, të dyshuar se kanë përdorur doping para finales së madhe të Kardifit, ku Reali i Madridit fitoi përballë Juventusit, janë dhe Toni Krosi e Kristiano Ronaldo.