AlbanianSport.com 22/08/2018 18:45
ASNN – E ardhmja e Lionel Mesit në përfaqësuesen argjentinase është e paqartë. Ai do të mungojë në dy miqësoret e radhës, por pas bisedës me trajnerin Skaloni, ai nuk ka saktësuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Argjentina do të përballet me Guatemalën dhe Kolumbinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 7 dhe 11 shtator 2018. Megjithatë, trajneri i përkohshëm i ekipit të futbollit të Argjentinës, Lionel Skaloni, mendon se mungesa e Lionel mesit në dy miqësoret e ardhshme është një gjë e rastit dhe jo vendim përfundimtar.
“Unë fola me Mesin, dhe nga biseda me të nuk kuptohet se çdo të ndodhë në të ardhmen, – tha trajneri i Argjentinës. – Ne e dimë se çfarë përfaqëson Mesi për ne. Ai më la të kuptoj se në këto dy ndeshje nuk do të jetë, por, për të ardhmen, do të shohim.” Pastaj Skaloni sqaroi se “nuk duhet të ketë trajner në botë që i vjen mirë që Mesi nuk do të vijë”. Në një konferencë shtypi në qendrën stërvitore të Federatës së Futbollit në Argjentinë, në Ezeiza të Buenos Airesit, trajneri i përkohshëm tha se “asnjë lojtar më ka thënë se nuk duan të jenë në ekip”.
Ne e dimë se duhet të shtojmë lojtarë të rinj në këtë aventurë të re, kam biseduar me shumicën dhe ata ishin të gatshëm” – tha ai. Ekipi i Argjentinës, i drejtuar përkohësisht nga Skaloni dhe Pablo Aimari do të udhëtojnë më 1 shtator 2018 drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u përballur në 7 shtator me Guatemalën në Los Anxheles dhe 11 shtator me Kolumbinë në Nju Xhersi. “Ne i marrim këto ndeshje miqësore si një sfidë, – tha Skaloni. – Jam i bindur se të gjithë këta lojtarë që do të veshin bluzën bardhekaltër do të dinë ta vlerësojnë rëndësinë që ajo përfaqëson.”
Për miqësoret, Skaloni ka grumbulluar 29 lojtarë, pa përfshirë, Mesin, Otamendin, Agueron, Higuainin dhe Di Marian. Midis të grumbulluarve janë Martinez, Ikardi, Dibala dhe Lo Selso.