AlbanianSport.com 07/06/2018 15:40
ASNN – Rusia thotë se i ka marrë të gjitha masa për t’u siguruar qetësinë të gjithë atyre që do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të Botërorit. Janë 15 ministri dhe strukturat e tyre, të cilat janë përfshirë në projektin e sigurisë. Në krye të tyre është Ministria e Mbrojtjes, që ka edhe barrën kryesore. Edhe pak ditë na ndajnë nga Botërori “Rusi 2018”, veprimtarisë madhore aq të dashur për të gjithë.
Futbollistë, trajnerë, me stafet e tyre drejtuese, tifozë, dashamirës të futbollit, pra dhjetëra mijëra njerëz do të jenë prezent në disa nga qytetet ruse ku do të luhen ndeshjet e Botërorit për mëse një muaj. Për t’u siguruar qetësinë dhe një qëndrim të rehatshëm në vendin e tyre, Rusia dhe gjithë strukturat e saj janë munduar të marrin masat e duhura.
Për këtë flet Anton Gusev, Zëvendësshefi i parë i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Brendshme. “Të gjitha forcat e sigurisë do të përfshihen gjatë Botërorit, si policia dhe Ministria e Situatave të Jashtëzakonshme, – ka deklaruar ai. – Gjithashtu, FIFA dhe Komiteti Lokal i Organizimit kanë rekrutuar agjencitë private të sigurisë, kështu që ekziston spektri i plotë i forcave ekzistuese të sigurisë, të cilat do të jenë plotësisht të përfshira.”
Janë 15 ministri të cilat janë përfshirë në projektin e sigurisë së Botërorit të 21-të të Futbollit. Është Aleksei Lavrishçev, kreu i sigurisë për Botërorin “Rusi 2018”, i cili sqaron: “15 ministri dhe shërbime janë angazhuar për të siguruar qetësinë, por kjo ka të bëjë vetëm me aktorët kryesorë, në të vërtetë ka më shumë, e mes të cilave, është natyrisht Ministria e Mbrojtjes, e cila ka barrën kryesore.” Deri tani qetësia ka mbizotëruar në qytetet ruse që do të mirëpresin ndeshjet e Botërorit, por Aleksei Lavrishçev, tregon se janë marrë të gjitha masat.
“Deri tani nuk kemi regjistruar asnjë kërcënim për pjesëmarrësit në këtë Botëror, – ka thënë ai, – por nga eksperiencat e mëparshme kemi dëgjuar. Ne kemi krijuar një plan të qartë të sigurisë dhe jemi gati të përballojmë të gjitha kërcënimet e sigurisë, pavarësisht nga origjina e tyre.”