AlbanianSport.com 28.04.2016 16:35
ASNN – Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, Avni Ponari, firmosi sot kontratën me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, nëpërmjet së cilës SIGAL UNIQA zotohet të mbështesë Kombëtaren shqiptare duke u bërë sponsor zyrtar i saj. Duke filluar nga dita e sotme, kompania më e madhe e sigurimeve në vend, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, do të mbështesë Kombëtaren shqiptare, duke u bërë kështu sponsor zyrtar i saj.
Marrëveshja u firmos sot, nga Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë SIGAL UNIQA, Ponari, dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Duka. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në praninë e mediave, Ponari u shpreh: “Ndër vite ne kemi mbështetur disiplina të ndryshme të sportit në tërësi, duke filluar me futbollin, basketbollin, atletikën, alpinizmin, aeronautikën etj, por të mbështesësh Kombëtaren shqiptare është krejt tjetër gjë.”
“Djemtë e kombëtares janë krenaria jonë kombëtare, janë ambasadorët tanë më të mirë nëpër botë dhe ne jemi të lumtur që i mbështesim ata, – ka vijuar ai. – Talentet kuqezi na plotësuan ëndrrën evropiane, duke na kualifikuar në “Euro 2016”, ndaj ne ua kishim “borxh” këtë mbështetje. Me kontratën e firmosur sot me Presidentin Duka, kompania që unë drejtoj, SIGAL UNIQA angazhohet të ofrojë mbështetjen e saj për Kombëtaren.”
I pyetur nga mediat, Ponari bëri me dije se, së bashku me Presidentin Duka kanë firmosur edhe një tjetër kontratë, atë të sigurimit të Federatës Shqiptare të Futbollit. SIGAL UNIQA Group AUSTRIA ka marrë kështu nën mbrojtje djemtë e kombëtares dhe jo vetëm. Pjesë e kontratës, nga e cila do të përfitojnë sigurimin e shëndetit, janë edhe të gjitha ekipet e grupmoshave, të gjitha ekipet e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, si dhe i gjithë stafi i FSHF-së.
“Me këtë kontratë, ne zotohemi të marrim nën mbrojtje, duke siguruar rreth 500 lojtarë të të gjithë Federatës Shqiptare të Futbollit si dhe stafin drejtues të Federatës, – shtoi më tej, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA. – Është hera e parë që sigurohet Federata Shqiptare e Futbollit dhe jemi krenarë që talentet shqiptare, përfshirë edhe kombëtaren, na u besuan ne.” SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, përveç detyrimeve kontraktore me klientët e saj, ka qenë gjithmonë partnere e sportit, arsimit, artit e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke mbështetur financiarisht evente të ndryshme.
Ndër të tjera, SIGAL UNIQA është edhe Sponsor Zyrtar i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Sponsor Zyrtar i “SIGAL UNIQA Balkan League”; Sponsor i Klubit të Basketbollit “Valbona”; Sponsor i skuadrës “kampione” SIGAL Prishtina, Mbështetje financiare për kampionen e atletikës, Luiza Gega, mbështetje financiare për Aeronautikën dhe Alpinizmin Shqiptar; Mbështetje për maratonën “Run4Austism” e organizuar për të mbështetur personat të prekur nga autizmi, etj.
Një vëmendje të veçantë, SIGAL UNIQA i ka kushtuar edhe kujdesit shëndetësor, duke ndërtuar të parën dhe të vetmen klinikë mjekësore lëvizëse në Shqipëri. Me një staf mjekësor profesional, në klinikën lëvizëse të SIGAL UNIQA mundësohen një shumëllojshmëri ekzaminimesh për klientët e saj dhe jo vetëm. Klinika u promovua në skajin verior të Shqipërisë, në Valbonë dhe më pas iu drejtua Vermoshit duke ju ofruar banorëve të zonës shërbimet bazë mjekësore falas, shërbime të cilat për arsye ekonomike apo infrastrukturore banorët e kanë të vështirë t’i marrin.
Klinika mjekësore do të jetë e pranishme në çdo cep të Shqipërisë, si dhe në Kosovë e Maqedoni. SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, që prej vitit 2002 udhëheq tregun e sigurimeve me mbi 30% të tregut, në të cilin operojnë 11 kompani sigurimesh, ku kompania që renditen e dyta zotëron vetëm 13% të këtij tregu. SIGAL UNIQA, e vetmja kompani e licensuar për të gjitha klasat e sigurimit dhe me 42 produkte në treg, është pjesë e “UNIQA Insurance Group”, kompanisë lider në Evropën Qendrore dhe Lindore në fushën e sigurimeve dhe investimeve. UNIQA numëron 7 miliardë Euro të ardhura vjetore dhe me mbi 27 miliardë Euro “asete” në menaxhim.