Adriatik Balla 14.09.2015 18:45
Në momentin kur të gjithë kërkojnë që Kombëtarja të jetë e qetë dhe të motivohet për sfidat e radhës, ka ndodhur një fërkim krejt i panevojshëm dhe një lojë fjalësh për kontratën e trajnerit Xhovani De Biazi, përplasje e nxitur me sa duket nga zyrtarët e lartë të FSHF-së. Kjo gjë ka sjellë disa pikëpyetje jo vetëm për vazhdimësinë e trajnerit në krye të përfaqësueses tonë, por ndikon mbi të gjitha negativisht në pritshmëritë e skuadrës në dy ndeshjet e fundit.
Debati vijon i fortë dhe në media dhe zërat që janë bërë “avokatë” të De Biazit janë të shumtë. Kuptohet, kanë argumente plot pasi De Biazi ka rezultate dhe ato duken e nuk mohohen. Duke folur për këto zhvillime, por edhe mundësisë së kualifikimit, ish-futbollisti i Dinamos dhe Kombëtares, Shyqyri Ballgjini, me besim të plotë thotë se de Biazi është trajneri i duhur për Kombëtaren dhe çelësi i suksesit të kuqezinjve në vitet e fundit.
Pasi i radhit mirë argumentet e tij, Ballgjini nuk lë pa kujtuar edhe periudhën e mëparshme, kur ekipet i drejtonin jo profesionistët, por agronomët dhe të tjerë që nuk ishin të fushës. Ndryshe nga skeptikët, Ballgjini ka besim në kualifikim dhe këtë shpresë e bazon tek puna dhe rezultatet e de Biazit. Për të, një fitore me serbët më 8 tetor çon në rrugën e duhur dhe të kualifikimit ekipin kuqezi. Intervistën e tij të plotë, dhënë të përditshmes shqiptare, “SOT”, AlbanianSport.com do t’jua sjellë në dy pjesë, sot dhe nesër.
– Ju jeni informuar ditët e fundit për një përplasje të evidentuar dhe në shtyp midis trajnerit De Biazi dhe krerëve të FSHF-së, për çështjen e rinovimit të kontratës. Duket si një qëndrim i thjeshtë i palëve, por në realitet është diçka më shumë se kaq dhe është serioze, gjë që mund të sjellë dhe një largim të trajnerit. Kuptohet, ndikoi humbja me portugezët. Pas këtyre viteve me trajnerin, lojën e skuadrës, rezultatet dhe ato që kanë ndodhur, parë nga një këndvështrim juaji, a mund të themi se De Biazi është trajneri i duhur për vazhdimësinë e Kombëtares?
– Pyetja shtrohet me vend në një moment kur për trajnerin po flitet shumë. Dhe po flitet për mirë, sigurisht. Unë nuk e di realisht shkakun e këtyre qëndrimeve apo fërkimeve, por sido që të jenë nuk i ndihmojnë skuadrës në këtë moment. A është i duhuri De Biazi? Personalisht mendoj se De Biazi është jo vetëm trajneri i duhur, por më i miri që ka pasur ekipi përfaqësues ndër vite. Na pëlqen apo jo ne, italianët kanë trajnerë të zotë, trajnerë të mëdhenj dhe kjo është për meritën e tyre. Arritjet e skuadrës tonë kombëtare në këtë periudhë duhen lidhur me patjetër me De Biazin, sepse, të flasim hapur, lojtarët aty ishin dhe më parë, por ky i gjeti, i bindi, i seleksionoi dhe bëri një skuadër me elementë të mirë dhe me alternativa. Falë tij u mor në fushë më e mira e këtyre futbollistëve. Pra është meritë e De Biazit që kjo skuadër ka funksionuar kështu, që pëlqehet dhe është pranë një objektivi madhor. Ndryshe, nuk do të kishim garanci se do të ishim në këto nivele. Ky është fakt i pamohueshëm.
– Dakord, por kjo humbja me Portugalinë solli një rënie, një trishtim që ndihet dhe ka vënë në rrezik kualifikimin. Sikur nuk pritej kjo humbje, apo jo?
– Edhe një herë, unë nuk e di shkakun e fërkimit që mund të kenë zyrtarët e federatës me De Biazin, por një humbje në futboll ndodh dhe kjo bëhet më e arsyeshme kur ke përballë Portugalinë si skuadër shumë cilësore dhe më e mira e grupit tonë. Pse duhet të ketë trishtim? Nuk ka vend, sepse skuadra mund të meritonte humbjen për mënyrën si luajti në pjesën e parë, por meritonte të fitonte për mënyrën si luajti në pjesën e dytë. U godit shtylla, topi u kthye dhe, për mendimin tim, gjyqtari nuk na dha një 11-metërsh të pastër. Nëse ne shënonim në atë rast, sot do të flisnim ndryshe. Ndodhi që shënoi Portugalia e jo ne. I tillë është futbolli, njëri fiton e tjetri humb, por për këtë nuk mund të fajësohet as De Biazi e as Kombëtarja, sepse futbolli i njeh edhe humbjet.
– Janë dhe dy ndeshje për t’u luajtur, me Serbinë dhe Armeninë. Kemi një eksperiencë të hidhur në eliminatoret e shkuara, pasi në ndeshjet e fundit nuk ia dalim mirë. Sidomos me serbët do të jetë e vështirë. Sa shanse kemi të fitojmë?
– Dy ndeshjet që kemi përpara janë shumë të vështira, kjo është e kuptueshme. Por nuk ka dhe nuk duhet të ketë vend për frikë, pasi, me këtë ekip që unë pashë përballë Portugalisë, jam me besim të madh për vazhdimësinë. Ishte hera e parë që nuk e pashë skuadrën në panik apo të shpërfytyruar nga humbja. Kjo do të thotë se ekipi ka krijuar siguri, jep garanci në çdo repart. Herët e shkuara ankoheshim e qaheshim për humbjen, na zinte trishtimi, por këtë herë humbja, edhe pse ishte e hidhur e në sekondat e fundit, u përjetua si normale nga lojtarët. Skuadra e përballoi me dinjitet dhe kjo tregon se Kombëtarja e De Biazit po piqet dhe po krijon eksperiencën e duhur. Për mendimin tim, edhe ky aspekt është meritë e De Biazit. Sa u takon ndeshjeve, ato trajneri do t’i përgatisë si duhet dhe mendoj se me serbët do të fitojmë.
– Veçanërisht me serbët shihet ndeshja më e vështirë, kjo edhe për shkak të atyre ngjarjeve që ndodhën vitin e shkuar në Beograd. Besohet se ata do të luajnë të motivuar në ekstrem…
– Jo, jo, nuk duhet parë në këtë mënyrë. Ne sportin e politizojmë, i japim ngjyra të panevojshme. Unë kam konstatuar nga zhvillimet se kapiteni i tyre ishte më pranë nesh. Pse? Sepse ai luan si profesionist në klub të madh. Ai, si shumë të tjerë, interesin e ka tek klubi ku paguhet e jo tek ekipi i tij kombëtar. Ai është profesionist dhe nuk ndikohet, pra ai sheh vetëm ndeshjen dhe mënyrën për të bërë punën e tij. Unë nuk shoh ndonjë problem për këtë përballje. Madje besoj se skuadra jonë ka forcën e mjaftueshme për ta fituar këtë duel, e them me bindje.
Vijon nesër…