AlbanianSport.com 06.03.2017 18:45
ASNN – Bota e sportit dhe biznesit ka humbur një njeri të nderuar. Sot është ndarë nga jeta Muhamet Malo, pas një sëmundje të rëndë. Kampion në mundje dhe në biznes duke fituar çmime e tituj nderi në vend, madje i vlerësuar edhe në botë. Pas një sëmundje të rëndë, të hënën pasdite u nda nga jeta Muhamed Malo, një nga njerëzit më human dhe më të dashur, i lidhur përgjithnjë me sportin.
Ai fitoi respektin e të gjithëve, duke qëndruar gjithnjë pranë tyre. Karriera e tij e sukseshme në sport ka nisur kur ai mbante veshur fanellën e Partizanit, e për 8 vite radhazi nga 1982 deri në 1990 ka qenë “kampion” i Shqipërisë në mundjen klasike. Në 1992-1996 ka qenë President i Federatës Shqiptare të Mundjes, nga viti 2005, ishte ishte president i Shoqatës Kombëtare të Mundjes, ndërsa në vitin 2008 u zgjodh si President Nderi i Federatës Shqiptare të Mundjes.
Muhamet Malo ishte një ndër humanistët më të mëdhenj në vendin tonë, e për këtë është nderuar me titullin “Honoris Causa”. Emër ka krijuar edhe në botën e biznesit. Ai hapi kompaninë e parë të basteve sportive në vend duke krijuar dhjetëra vende pune. Krijoi për herë të parë një televizion kushtuar tërësisht sportit, TeleSportin. Ndërtoi teleferikun e parë dhe të vetëm në Shqipëri, i cili shërben për të afruar qytetarët e Tiranës me malin e Dajtit.
Për sukseset në sportin e mundjes, ka marrë titullin “Nderi i Mundjes shqiptare”. Për të gjitha meritat në sport, si biznesmen dhe humanist ai është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”. Meritat e tij nuk kaluan pa u vënë re as nga ish- presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, i cili e ka nderuar biznesmenin shqiptar, me çmimin “Për arritjet gjatë jetës”.