AlbanianSport.com 26/03/2019 19:50
ASNN – Të martën u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, në moshën 76-vjeçare, një prej ikonave të futbollit të Tiranës dhe të skuadrës kombëtare, Ali Mema. Legjenda bardheblu spikati me fanellën e skuadrës së famshme të 17-Nëntorit, por ai ka luajtur për dy vite edhe me Vllazninë, si dhe ka pasur një karrierë brilante edhe në ekipin kombëtar. Ali Mema ka luajtur në shumicën e ndeshjeve të mëdha të rinisë së tij, përfshi dhe ndeshjen e madhe me Gjermaninë në vitin 1967, një takim i mbyllur në barazim 0-0.
Familja Mema, klubi i Tiranës dhe futbolli kombëtar humbasin kështu një prej emblemave të futbollit kryeqytetas, njeriun e mirë e sedërli, figurën e panjollosur të sportistit ideal dhe njëherësh familjarin e përkushtuar. Ali Mema konsiderohet si një prej futbollistëve më të mëdhenj të kombit shqiptar, bashkëkohës me Panajot Panon e madh dhe një sërë figurash të shkëlqyera të futbollit kombëtar. Të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit për ikonën bardheblu dhe familjen Mema në tërësi.
“Të dashur miq të familjes së madhe të futbollit, me hidhërim kam mësuar lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Ali Memës, një ish-mesfushor i shkëlqyer i Tiranës dhe ekipit kombëtar, drejtues futbolli dhe mik i mirë, – ka deklaruar Presidenti i FSHF-së Armand Duka. – Në këtë moment hidhërimi për futbollin shqiptar dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. Ai ishte një ikonë e futbollit shqiptar dhe një nga më të ndriturit e familjes simbol të futbollit të Tiranës, dhe si i tillë do të kujtohet gjithmonë nga komuniteti futbollit.”
Homazhet për nder të Ali Memës zhvillohen paraditën e së mërkurës në mjediset e Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.