Adriatik Balla 12.06.2015 12:15
ASNN – Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë e ka shtyrë sërish datën e dhënies së një vendimi për ndeshjen e ndërprerë midis Serbisë dhe Shqipërisë, luajtur në kryeqytetin Beograd më 14 tetor të vitit të kaluar. CAS-i nuk e zgjidhi dot në kohë çështjen, duke i lënë palët në pritje dhe duke pështjelluar dhe më tej këtë përplasje që i ka kaluar tashmë nivelet sportive dhe është futur në analet gjyqësore dhe diplomatike.
Në ndeshjen e Beogradit nuk pati sport të rregullt, por dhunë nga vendasit ndaj ekipit kombëtar shqiptar, një dhunë e pashembullt ku tifozët u futën në fushë, madje huliganë të rrezikshëm zaptuan fushën dhe ku lojtarët tanë u goditën edhe nga vetë personeli i sigurisë së stadiumit. Kjo ndeshje kishte momente dramatike dhe episode dhune të frikshme, ku rrezikohej seriozisht jeta e futbollistëve kuqezi dhe stafit tonë teknik.
CAS kishte pranuar apelimin e skuadrës tonë dhe ishte shprehur për një shqyrtim të fakteve, duke njoftuar se do të jepte një vendim të prerë e përfundimtar më 12 korrik, një ditë para zhvillimit të ndeshjeve në grupin I të Eliminatoreve, ku Serbia do të përballet me Danimarkën. Njoftimi i ardhur në Federatën Shqiptare të Futbollit ka të bëjë vetëm me një informacion të thatë, ku FSHF-ja vihet në dijeni se vendimi i CAS-it për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe pretendimet e palës tonë do të jepet më 10 korrik.
Por në njoftim nuk thuhet asgjë për motivimin e këtij qëndrimi, që do të thotë se nuk jepen arsye pse vendimi është shtyrë për një muaj më vonë. Sipas zërave kompetentë në FSHF, mundet që CAS të ketë hasur në vështirësi serioze në analizën e fakteve, nisur dhe nga fakti i thjeshtë se kjo çështje është unikale në zyrat e Arbitrazhit, për vetë problematikën e saj.
Serbia kërkon kthimin e trepikëshit të dhënë dhe të hequr nga UEFA për shkak të rasteve të përsëritura të dhunës, por Shqipëria kërkon më shumë. Ajo kërkon 3-pikëshin sepse pretendon se është dhunuar dhe për këtë ka argumente plot, janë pamjet, janë dhe protokollet e ndeshjes. Arsyetimi për të mos hyrë në fushë lidhet me dëmtimin e sportistëve dhe natyrisht kushtet e papranueshme për lojë.
Pikërisht këtu CAS është thelluar dhe kjo ka vënë në dilemë të madhe gjyqtarët e çështjes. Shtyrja e vendimit mund të lidhet edhe me ndeshjet e kësaj të shtune në grupin i eliminator, por në të njëjtën kohë dhe me ngarkesën e dosjeve, që janë voluminoze dhe kërkojnë trajtim prej eksperti të fushës. Pra CAS ka kërkuar më shumë kohë për të dhënë një vendim, i cili do të jetë përfundimtar.
Shtyrja e vendimit mbart enigma të mëdha edhe në klasifikimin e skuadrave në grup, pasi kjo përballje është domethënëse për të dyja skuadrat dhe pretendimet e tyre për një vend në Evropian.