AlbanianSport.com 28.01.2015 21:15
ASNN – Ka përfunduar shtrimi i plotë i fushës me tapetin e barit, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Java e kaluar, ka qenë java e një pune intensive për të shtruar tapetin e ardhur nga jashtë, në fushën e stadiumit dhe ky proces është mbyllur ditën e shtunë.
Tani, shërbimet që i kryhen fushës, janë kryesisht teknike dhe niveluese. Sipas specialistëve të kësaj fushe, gradualisht me kalimin e disa javëve, fushës do të vazhdojnë t’i kryhen shërbime, derisa ajo të arrijë të lidhet me shtresat e tjera të paravendosura më parë.
Një element që e ndihmon këtë proces, është koha. Duke folur për AlbanianSport.com pas ditës pas nisjes së vitit të ri, drejtori i stadiumit, Eduard Prodani, ka deklaruar se fusha do të ishte gati pas gjysmës së dytë të shkurtit. Por duket se edhe ky afat nuk do të respektohet.
Kjo për arsye se specialistët e firmës që po kryen punimet kanë theksuar se tapeti i rika nevojë për të paktën 40 ditë që tapeti i ri i barit të homogjenizohet me pjesën tjetër të fushës. Po sipas specialistëve, është shumë e rëndësishme, që ajo të mos jetë shumë e ftohtë sepse temperaturat e ulëta e dëmtojnë këtë proces.
Me pak fjalë, nëse do të respektohen këto afate, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” do të jetë gati në 10-shin e parë të muajit mars, çka nënkupton se përgjatë 4 javëve në vijim të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, skuadrat kryeqytetase, Partizani dhe Tirana, por edhe Dinamo, do të shtegtojnë gjetkë për t’i zhvilluar ndeshjet e tyre.