AlbanianSport.com 08/01/2019 15:15
ASNN – Në analizat e mediave sportive italiane evidentohet se shqiptarët janë lojtarët më të ashpër në kampionatin italian të futbollit, si në Serinë A, ashtu dhe në Serinë B. Është një tregues sportiv që do të thotë shumë në aspektin e përkushtimit, sepse tregon se lojtarët shqiptarë japin maksimumin në fushë, por nga ana tjetër, faullet e rënda janë edhe dëshmi e mosmbulimit sa duhet të kundërshtarëve apo dhe mospasjen nën kontroll të nervave.
Në fakt, “kampion” në këtë drejtim është Përparim Hetemaj, mesfushor me tipare sulmuese i Kievos. Ky futbollist është me origjinë nga Kosova, por luan për përfaqësuesen e Finlandës. Ai ka shkaktuar afro 3 faulle të rënda mesatarisht çdo ndeshje, duke qenë praktikisht në vend të parë edhe në kampionatin elitar italian. Në dhjetëshen e parë përfshihet edhe mesfushori shkatërrues Valon Behrami, i cili ka një karrierë të gjatë e të suksesshme.
Ai ka luajtur me shumë ekipe në Itali e Angli, por edhe me përfaqësuesen zvicerane dhe ndodhet në vend të 6-të si lojtari që shkakton më shumë ndërhyrje të rënda. Dy gardianët e Kombëtares kuqezi, Thomas Strakosha i Lacios dhe Etrit Berisha, nuk janë fare në listë pasi portierët nuk kanë shumë përplasje me kundërshtarët, me përjashtim të rasteve kur dalin një për një me sulmuesit kundërshtarë dhe janë të detyruar të bëjnë faull taktik.
Gjimshiti, Memushaj, Vrioni, Hysaj, Ndoji e të tjerë, janë mbi mesataren e faulleve të regjistruar për ndeshje (dy faulle për 90 minuta), çka tregon temperamentin e lojtarëve shqiptarë.