AlbanianSport.com 18.08.2015 20:40
ASNN – Një flamur gjigand me shqiponjën dykrenare do të valëvitet në ndeshjen Danimarkë-Shqipëri. Tifozët Kuqezi kanë bërë përgatitjet e fundit para ndeshjes së rëndësishme që do të zhvillohet kundër Danimarkës në Kopenhagë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2016. Për këtë ndeshje, ata kanë bërë gati një flamur gjigant, i cili do të shpaloset në fillim të takimit, atëherë kur do të fillojë të këndohet himni kombëtar.
Në këtë ndeshje pritet të marrë pjesë një numër i madh i tifozëve shqiptarë, të cilët tashmë vetëm se i kanë rezervuar biletat dhe premtojnë spektakël në Danimarkë. Por Federata Daneze e Futbollit (DBU) është vënë në alarm dhe shkak për këtë është bërë dyndja e tifozëve shqiptarë te cilët janë të interesuar për të ndjekur sfidën e kombëtares me Danimarkën, e vlefshme për “Euro 2016”. Mësohet se një pjesë e mirë e tyre kanë blerë bileta që janë të sektorëve ku do të qëndrojnë tifozët vendas.
Dhe kjo i ka shqetësuar jo pak danezët. Shefi i zyrës së shtypit të DBU-së, Jakob Hojer, i paralajmëroi tifozët shqiptarë se nuk do të lejohen të hyjnë në stadium me biletat që janë për sektorët e akomodimit të tifozëve danezë. “Për tifozët shqiptarë është caktuar një sektor i veçantë, madje u kemi vënë në dispozicion atyre një numër më të madh biletash nga sa parashikohet, – deklaroi ai.- Padyshim është diçka e bukur kur krijohet atmosferë e ndezur mes tifozerive.”
“Por duhet të paralajmërojmë shqiptarët se nuk do t’i lejojmë që të hyjnë në stadium nëse paraqiten me bileta të sektorëve të rezervuar për tifozët danezë”, – shtoi zëdhënësi i federatës daneze. Sfida mes Danimarkës dhe Shqipërisë do të zhvillohet në “Telia Parken” dhe sipas rregullores vetëm 5% e biletave u takojnë tifozëve shqiptarë, ose e thënë me shifra janë 1850 bileta. Në të vërtetë, Federata Daneze vuri në dispozicion të FSHF-së 2,100 bileta, 250 më shumë.
Jakob Hoyer bëri thirrje që të kthehen biletat e blera nga shqiptarët për të evituar që të ndodhin ngjarje të pakëndshme, pasi sipas tij, siguria në stadium është prioritet. Danimarka dhe Shqipëria ndajnë vendin e dytë dhe të tretë në renditjen e grupit I me 10 pikë, ndërkohë që në krye ndodhet Portugalia me 12 pikë. Dy skuadrat e para dhe ekipi i tretë më i mirë kualifikohen direkt për në fazën finale të “Euro 2016”, ndërsa skuadra e vendit të tretë luan në “play-off”.