Adriatik Balla 13.06.2015 13:20
Shqipëria nisi dje rrugëtimin e vet në Lojërat Olimpike Evropiane, që zhvillohen për herë të parë në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku. Në këtë eveniment të sportit në kontinent marrin pjesë 28 sportistë nga Shqipëria, por shpresat për medalje nga ekipi ynë i kanë tre sportistë, konkretisht Luiza Gega në atletikë, Egzon Shala në mundje dhe Eugert Zhupa në çiklizëm.
Natyrisht, shanse kanë dhe sportistët e tjerë, por tre të lartpërmendurit kanë rezultate të arritura dhe më parë dhe kanë më shumë eksperiencë për të arritur maksimumin për vendin e tyre në këto lojëra. Lojërat e Para Evropiane mund të jenë një shans i mirë për Shqipërinë për të marrë medalje teksa do të përfaqësohet në total me 28 sportistë, ku shpresat e mëdha janë mbi të gjitha për Egzon Shalën dhe Luiza Gegën.
Shala do të garojë me datë 18 qershor ne sportin e mundjes në stilin e lirë duke qenë pretendent për medalje, ndërkohë që i veçantë është fakti se në këto lojëra do të garojë dhe vëllai i tij Edoni, po në sportin e mundjes, por për ngjyrat e Kosovës, në peshën 97 kilogram.
Shpresa e madhe e kuqezinjve për medalje vjen dhe nga Luiza Gega që do të garojë në data 21 dhe 22 qershor në plot 3 disiplina, në garën e 800 m për femra, 1500 metra dhe stafetën 4 × 400. Gjithashtu me interes pritet dhe përfaqësimi në datat 18 dhe 21 qershor i çiklistit shqiptar, Eugert Zhupa që ishte shqiptari i parë që mori pjesë në Xhiron e Italisë 2015.