AlbanianSport.com 29.03.2015 20:05
ASNN – Kombëtarja kuqezi ka kapërcyer pësimin e një goli, duke mundur sonte Armeninë 2-1 dhe dhe duke mbetur në mesin e skuadrave pretendente për kualifikim nga grupi I i Eliminatoreve të Evropianit 2016. Mavraj dhe Gashi kanë shënuar në çerekorën e fundit, duke e bërë të pavflefshëm golin e miqve, të realizuar që në minutat e para të ndeshjes.
Emocionet e kësaj ndeshjeje u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në një transmetim maratonë prej afro 4 orësh. Shqipëria mbetet në rrugë të mbarë për ëndrrën e madhe të kualifikimit në fazën finale të një veprimtarie madhore futbollistike, pasi ka marrë një fitore me përmbysje në “Elbasan Arena”, duke mundur Armeninë 2-1 dhe duke mbetur në mesin e skuadrave pretendente për kualifikim nga grupi I i Eliminatoreve të Evropianit 2016.
Pjesa e parë ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi Mkhitarjan ka depërtuar mjeshtërisht në zonën kuqezi, duke e kthyer topin në qendër, ku Movsisjan, i ndihmuar edhe nga devijimi i Mavrajt, e ka drejtuar topin drejt rrjetës së Berishës. Armenia kryeson 1-0, por kuqezinjtë e mbledhin veten dhe, falë një loje të bukur në krah të Agollit, është Taulant Xhaka ai që shkon dëm dy raste për të shënuar me goditje me kokë, sidomos në rastin e dytë, kur topi përkëdhel shtyllën pingule të portës së miqve.
Shqipëria vazhdon të këmbëngulë dhe do të jetë radha e Sokol Cikalleshit, i cili do të godasë fillimisht shtyllën e portës armene, në minutën e 34-t, ndërsa në sekondat e fundit të minutës shtesë, do të ndalet vetëm nga portieri mik në vijën fatale. Pjesa e dytë do të nisë me dy ndërrime, pasi Memushaj dhe Abrashi i kanë lënë vendin Lenjanjti dhe kuqezinjtë janë në sulm të vazhdueshëm. Dy futbollistët e futur i kanë një tjetër impuls lojës, duke çuar në disa raste për shënim.
Por çasti që kthen fatin e ndeshjes është minuta e 70-të, kur Armenia mbetet me 10 lojtarë, pasi Hambartsumjan ndëshkohet me karton të kuq. Kombëtarja ka përfituar nga epërsia numerike dhe pak minuta më vonë, ka spikatur shtylla e goditur nga Cikalleshi, e cila është pasuar nga goli i barazimit, me autor Mërgim Mavrajn, i cili ka goditur zgjuarsisht me kokë dhe ka mposhtur portierin mik në minutën e 77-të.
Katër minuta më pas, është Gashi ai që godet saktësisht me kokë dhe përshëndet rrjetën e portës armene për herë të dytë, duke përmbysur shifrat në favor të kuqezinjve. Ka drithërima në fundin e ndeshjes, pasi Armenia ka goditur shtyllën e Etrit Berishës, por Shqipëria korr fitoren e dytë në këto eliminatore, duke u ngjitur në kuotën e 7 pikëve, po aq sa Danimarka.