AlbanianSport.com 12.09.2015 09:35
ASNN – Suksesi i Kombëtares në këto Eliminatore ka tërhequr vëmendjen opinionit sportiv në të gjithë botën. Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhovani De Biazi, kanë bërë hapa gjigandë në renditjen e FIFA -s, pasi janë në vendin e 25-të për muajin shtator, ndërsa në gusht vendosën një rekord të ri, duke u pozicionuar të 22-tët. Për këtë arsye, revista zyrtare e FIFA-s ka vendosur t’i kushtojë hapësirën kryesore përfaqësueses së Shqipërisë, duke intervistuar trajneri De Biazi dhe duke bërë një profil të futbollit shqiptar në përgjithësi.
Ecuria mjaft e mirë e Kombëtares Shqiptare në Eliminatoret e “Euro 2016”-tës, si edhe kualifikimi i Skënderbeut në fazën e grupeve të Ligës së Evropës kanë ngjallur kureshtje për futbollin shqiptar. Në këtë mënyrë, FIFA ka përzgjedhur për kryeartikull në revistën e saj “Weekly” një shkrim për futbollin shqiptar. Shkrimi i FIFA-s, që përfshin dhe një intervistë të gjatë me trajnerin e përfaqësueses, Xhovani De Biazi, në brendësi me Kombëtaren Shqiptare që është shumë pranë kualifikimit në një veprimtari madhore, siç është Evropiani.
Për “Weekly”, pavarësisht humbjes në minutat e fundit të shtesës ndaj Portugalisë, Shqipëria mbetet skuadra e favorizuar për kalimin në fazën finale të Evropianit në Francë dhe fakti që Danimarka do të luajë në takimin e fundit me Portugalinë, ndërsa kuqezinjtë do të kenë dy ndeshje për të zhvilluar të bëjnë të mendosh se hapja e shampanjës së festës është gati për djemtë e De Biazit. Ndërkohë, Në intervistën e tij, tranjeri italian me pasaportë shqiptare, De Biazi, thekson se futbolli shqiptar po i hedh hapat një e nga një.
Sipas tij ishte e rëndësishme që të ndryshohej mendësia e njerëzve dhe skuadra të luante sipas një stili të ri, të cilin ai është përpjekur ta injektojë në këto 3 vite. Gjithashtu trajneri ka shtuar se është e rëndësishme që ekipi të mos vetëkënaqet pas një rezultati pozitiv por të kërkojë gjithmonë të përmirësohet. Kjo është dhe arsyeja që Shqipëria rezistoi pesë ndeshje pa humbje, për herë të parë në një fazë eliminatore. Shkrimi mbyllet me influencën që futbolli perëndimor ka te ai shqiptar duke e lidhur këtë me dashurinë e shqiptarqëve për lojën, por dhe faktin se shumë prej lojtarëve aktualë të Kombëtares janë rritur dhe formuar si futbollistë në Zvicër.