AlbanianSport.com 10/10/2018 21:55
ASNN – Një Shqipëri eksperimentale nuk ka shkuar dot më larg se një barazim pa gola të mërkurën në miqësoren me Jordaninë, e cila renditet mban vendin e 110-të në renditjen e FIFA-s. Takimi i zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë trajnerin Panuçi t’u japë minuta shumë lojtarëve të rinj, por pa e gjetur dot golin.
Shqipëria dhe Jordania e kanë mbyllur me rrjeta të paprekura përballjen e tyre të parë, ndeshje miqësoren të luajtur të mërkurën. Në fakt, takimi i zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka nisur me një dëmtim të Mihajt në minutën e 5-të dhe pas minuta më pas, ai zëvendësohet nga Veseli.
Sinjalin e parë të rrezikshëm e jep Jordania në minutën e 6-të, por finalizimi lë për të dëshiruar dhe topi përfundon jashtë kuadratit. 5 minuta më pas, Grezda merr një pasim nga Gavazaj dhe në pozicion të volitshëm, godet keq dhe shpërdoron një rast të mirë për shënim. Shqipëria provon të rrezikojë me aksione të shpejt nga krahët, dhe, në të 23-ën, Grezda pason në qendër për Gavazajn, që neutralizohet në çastin e goditjes, ndërsa goditja më pas e Lilës devijohet jashtë për një këndore.
3 minuta para fundit, Manaj fiton një top, por nxitohet me një goditje nga larg, kur kishte 4 shokë të skuadrës kuqezi tek të cilët mund të pasonte. Me një tjetër rast të Manajt, por që neutralizohet nga mbrojtja dhe portieri mik, do të mbyllen 45 minutat e para, të cilat nuk prodhuan gol. Pjesa e dytë nis me disa ndërrime tek kuqezinjtë dhe minutat e para e shohin Shqipërinë në sulm.
Dhe, në fund të minutës së 51-të, Balaj bën një goditje karakteristike brenda zone, pas një goditje këndi, por portieri jordanez, Jasin, tregohet i vëmendshëm dhe grushton dhe më pas largon mbrojtja. Loja ndikohet nga ndërrimet e shumta, por në të 64-ën minutë, Veseli ka mundësi dy herë të godasë pas një goditjeje këndi dhe një rrëmuje në zonë, por gjen të gatshëm portierin mik.
5 minuta më pas, është Jordania që rrezikon, me një aksion të rrjedhshëm, por goditja e Al-Mujanit brenda zonës, pritet nga gardiani kuqezi, Berisha. Balaj provon me një goditje të lirë në të 75-ën, por pasaktësisht, ndërsa 7 minuta para fundit, i futuri në fushë në pjesën e dytë, Uzuni i afrohet shumë golit, por shtylla e majtë pingule e portës jordaneze i thotë “Jo”.
Shqipëria do të provojë edhe në sekondat e fundit të 5 minutave shtesë, por goditja e rrezikshme me kokë e Balajt nuk e gjen dot kuadratin. Mbyllet 0-0 kjo miqësore, që do t’i ketë lënë trajnerit Kristian Panuçi më tepër pikëpyetje sesa i ka dhënë përgjigje për lojtarët e rinj.