AlbanianSport.com 17/11/2018 23:40
ASNN – Ishte mbrëmja e skocezëve kjo e sotmja në Stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, pasi përfaqësuesja e tyre e mundi Shqipërisë me shifrat e thella 4-0 dhe bëri që kuqezinjtë ta mbyllnin në vendin e fundit grupin e parë në Ligën C të Ligës së Kombeve. Ishte një disfatë e turpshme për ekipin tonë, një disfatë që erdhi që në fillim prej gabimeve të rënda të vetë lojtarëve. Që në minutën e 15-të, një gafë e Xhakës bëri që Frazer të përparojë drejt portës e të shtangë tanët me një gol të shpejtë që shtangu jo vetëm skuadrën dhe trajnerin Kristian Panuci, por edhe tifozët e shumtë kuqezi në stadiumin e Shkodrës.
Atëherë kur të gjithë prisnin reagimin e skuadrës tonë, ndodh gafa e dytë e madhe. Kapiteni Mërgim Mavraj jo vetëm merr karton të verdhë, por nervozohet me kundërshtarin dhe nga një fërkim i vogël midis tyre merr karton të kuq, duke lënë ekipin me 10 vetë. Gjithcka bëhet shumë e vështirë dhe e pamundur për të rikuperuar. Panuçi ndërhyn në formacion, duke nxjerrë një mesfushor si Kaçe dhe fut në fushë mbrojtësin Ismajli. Por në minutat e fundit, nga një goditje dënimi topi preket me dorë nga Manaj në mur e për pasojë gjyqtari rus jep penallti për miqtë. Është Fletcer që realizon golin e dytë për skocezët duke i çuar në dhomat e zhveshjes me epërsinë e dy golave.
Në pjesën e dytë tanët rrisin presionin në sulm dhe shtrëngojnë dhëmbët për të nxjerrë një gol nderi. Por skocezët janë të vëmendshëm edhe në detajet më të vogla dhe pasi përfitojnë sërish nga një gabim i mbrojtësve në minutën e 55-të gjejnë golin e tretë me anë të Forest. I njëjti lojtar shënoi edhe golin e katërt në minutën e 67-të, një supergol pas një përdorimi në perfeksion të pasimit dhe driblimit. Shqipëria e humbi këtë ndeshje 0-4 dhe mbeti në vend të fundit, ndërkohë që thirrjet e tifozerisë kuqezi për largimin e Panuçit morën përmasë maksimale. Madje ata e tepruan duke e sharë trajnerin, i cili në këtë moment nuk ka rrugë tjetër veçse të tërhiqet.
Pas kësaj disfate kuqezinjtë mbeten përfundimisht në vend të 3-të në grup, me vetëm 3 pikë, kurse skocezët shkojnë në 6 pikë, po aq sa Izraeli dhe do të jetë dueli direkt midis tyre më 20 nëntor 2018 që do të përcaktojë edhe fituesin e grupit. Sa i takon skuadrës kuqezi, ajo dështoi tërësisht në këtë edicion të parë të Ligës së Kombeve dhe rënia në Ligën D është tanimë realitet.
Ndeshjet e Shqipërisë në Ligën e Kombeve:
Data Ndeshja Rezultati
07.09.2018 Shqipëri – Izrael 1-0
10.09.2018 Skoci – Shqipëri 2-0
1.10.2018 Izrael – Shqipëri 2-0
17.11.2018 Shqipëri – Skoci 0-4
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Izrael 6
- Skoci 6
- Shqipëri 3