ASNN – Lojërat Sportive Rinore janë një veprimtari sportive amatore që mbledhin së bashku gjatë pushimeve fëmijët dhe të rinjtë nga shkollat fillore dhe ato 9-vjeçare gjatë pushimeve, duke u mundësuar atyre që të marrin pjesë dhe të konkurrojnë falas në 10 disiplina sportive. Konkurrentët më të suksesshëm marrin pjesë në finale dhe synimi i këtyre Lojërave, që japin një kontribut të prekshëm në shoqëri, mishërohet në sloganin e tyre, “Jetoje jetën pa drogë, sepse droga merr jetë!”.
Në fakt, parimi i këtyre Lojërave është i thjeshtë. “Shkolla mbaron, fillojnë Lojërat dhe Lojërat mbarojnë, fillon shkolla!”. Në fakt, duke u bazuar në numrin e konkurrentëve, Lojërat Sportive Rinore janë veprimtaria më e madhe sportive amatore në kontinentin evropian dhe në 2013-tën, në to konkurruan plot 113,106 fëmijë dhe të rinj. Gjithçka ka nisur më 1996-n, në atë që nisi si një turne i minifutbollit për fëmijët dhe të rinjtë në qytetin e Splitit të Kroaci.
Megjithatë, vetëm një vit më pas, këto Lojëra u shtrinë në 7 disiplina sportive, duke vijuar të zhvillohen nën patronazhin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Qëllimi i Lojërave Sportive Rinore është që t’u mundësojë fëmijëve të shkollave fillore dhe 9-vjeçare që të marrin pjesë në veprimtari të organizuara sportive dhe të tjera gjatë pushimeve të verës. Dhe gjatë 17 viteve të ekzistencës së tyre, mbi 600,000 fëmijë dhe të rinj kanë marrë pjesë në këto Lojëra.
Në fakt, thelbin e këtyre Lojërave e ka përmbledhur më së miri njëri prej mbështetësve më të mëdhenj të tyre, ish-kryeministri britanik, Toni Bler, që ka deklaruar: “Unë gjithmonë kam besuar se është shumë e rëndësishme t’u japim fëmijëve dhe të rinjve mundësinë që të përfshihen në sporte që në moshë të vogël. Sporti promovon respekt, miqësi dhe mirëkuptim midis njerëzve dhe në të njëjtën kohë u kultivon fëmijëve aftësinë për të udhëhequr dhe mbi të gjithë, nevojë e të punuarit së bashku si një skuadër në mënyrë që të arrihet diçka.”
“Dhe kjo është ajo që mund t’i përshkruajë më së miri Lojërat Sportive Rinore”, – ka shtuar Bleri. Ambasadorët e Lojërave Sportive Rinore përfaqësojnë një listë të gjerë me emra të spikatur, duke nisur nga politika, me Eurokomisionerët Shtefan Fyle dhe Oli Rehn, me Europarlamentarët Martin Shulc, Eduard Kuka, Hanes Svoboda, Tanja Fajon dhe Ana Ibrishagiç, e duke vijuar me figura të tjera botërore, të tilla si Srgjan Kerim (Ish-Kryetar i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara), Erhard Busek (ish-Politikan), Alaster Kempbëll (Ekspert komunikimi) dhe Milan Bandiçin, Kryebashkiakun e Zagrebit.
Duke u zhvendosur tek sporti, këto Lojëra mbështeten nga legjendari Franc Bekenbauer, President Nderi i UEFA-s, Lenart Johanson, Zv/Presidenti i UEFA-s dhe FIFA-s, Gëfri Tompson, dhe kreu i Premier Ligës Angleze, Sër Dejv Riçards. Po kështu, ambasadorë të spikatur janë ish-trajnerët e futbollit, Sven Goran Erikson, Zllatko Krajnçar dhe Sllaven Biliç, ish-futbollistët Dejvid Bekham, Predrag Mijatoviç dhe ish-tenisti Goran Ivanisheviç, si dhe sportistët aktualë, futbollisti Niko Krajnçar dhe basketbollisti Huan Karlos Navarro.
Ideja e Lojërave Sportive Rinore tashmë i ka kaluar kufijtë e Kroacisë, duke u shndërruar në një nismë rajonale, nëpërmjet Ditëve Ndërkombëtare të tyre, që janë një veprimtari njëjavore, ku, përveç sportit dhe konkurrimit sportiv, fëmijët dhe të rinjtë kanë mundësi të shoqërohen me bashkëmoshatarët e tyre nga vende të ndryshme dhe të zënë miq të rinj. Gjatë 7 viteve të ekzistencës së Ditëve Ndërkombëtare, në to kanë marrë pjesë mbi 4,000 fëmijë nga Kroacia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, Hungaria dhe Estonia.
Synimi i organizatorëve është shtrirja sa më e madhe e këtij koncepti dhe pritet që shumë shpejt, pasi janë organizuar edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Lojërat Sportive Rinore të mbahen edhe në Shqipëri. Sepse, sikundër e theksojnë edhe organizatorët, ndërkombëtarizimi i këtyre Lojërave është mënyra më e mirë që një rajon i trazuar sa ç’ka qenë Ballkani në shekullin e fundit, të tregojë gatishmërinë e tij që t’i kthehet të ardhmes, potenciali i së cilës qëndron te rinia e Evrope të re dhe moderne.
Ambasadorët e Lojërave Sportive Rinore:
Franc Bekenbauer (President Nderi i Bajernit të Mynihut)
Lenart Johanson (President Nderi i UEFA-s)
Gëfri Tompson (Zv/President i UEFA-s & FIFA-s)
Sër Dejv Riçards (Kreu i Premier Ligës Angleze)
Shtefan Fyle (eurokomisioner)
Oli Rehn (eurokomisioner)
Martin Shulc (europarlamentar)
Eduard Kuka (europarlamentar)
Hanes Svoboda (europarlamentar)
Tanja Fajon (europarlamentare)
Ana Ibrishagiç (europarlamentare)
Srgjan Kerim (Ish-Kryetar i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara)
Erhard Busek (Ish-Politikan)
Alaster Kempbëll (Ekspert komunikimi)
Milan Bandiç (Kryebashkiaku i Zagrebit)
Sven Goran Erikson (ish-trajner)
Zllatko Krajnçar (ish-trajner)
Sllaven Biliç (ish-trajner)
Dejvid Bekham (ish-futbollist)
Predrag Mijatoviç (ish-futbollist)
Goran Ivanisheviç (ish-tenist)
Niko Krajnçar (Futbollist)
Huan Karlos Navarro (Basketbollist)