AlbanianSport.com 24/10/2018 12:40
ASNN – Sportistët e Shqipërisë zhgënjyen në Lojërat Olimpike Rinore, por një shqiptare i dha medalje ari dhe rekord Greqisë. Ky është paradoksi që fatkeqësisht rikthehet Në Lojërat Olimpike Rinore që u zhvilluan para pak ditësh në Buenos Aires të Argjentinës, Shqipëria u përfaqësua me 5 sportistë, një boksier (Muhamet Qamili) e një boksiere (Elsedita Selaj), një atlete (Relaksa Dauti), një notare (Kejti Rok) dhe një peshëngritës (Antonio Luli).
Asnjëri prej tyre nuk ia doli të regjistrojë një rezultat të pranueshëm për nivelin e garës, për pasojë zhgënjyen. Sidoqoftë, dje kreu i KOKSH-it Viron Bezhani priti delegacionin sportiv që mori pjesë në Lojërat Olimpike Verore dhe shpërndau certifikatat e pjesëmarrjes, duke apeluar gjithashtu nga institucionet e tjera shtetërore të kthejnë sytë nga sporti dhe të investojnë për talentet e reja, që edhe Shqipëria të sjellë medalje në të ardhmen.
Ndërkohë, edhe pse Shqipëria zhgënjeu në Lojërat Olimpike Rinore në Argjentinë, një shqiptare arriti të lerë gjurmë në këtë aktivitet. Bëhet fjalë për atleten Elina Xhengos, e cila ka origjinë nga Korça por jeton në Greqi. Ajo garoi në hedhje shtize, duke regjistruar një rekord prej 63.4 metrash dhe duke fituar medaljen e artë. Kjo është sportistja e dytë shqiptare që në të njëjtën disiplinë i sjell medalje të rëndësishme Greqisë pas atletes së shquar shqiptare, Mirela Manjani.