Adriatik Balla 04.10.2015 12:55
Përfaqësuesja kuqezi do të përballet më 8 tetor me përfaqësuesen serbe, në një nga ndeshjet vendimtare të grupit I të Eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016”. Në këtë ndeshje ekipit tonë i duhet medoemos fitorja, si kusht për të pretenduar kualifikimin, ndërsa serbët vijnë këtu thjesht për të prishur punë, pra për të penguar Shqipërinë të shkojë në Evropian, pasi vetë nuk kanë kurrfarë shansi.
Por kjo ndeshje, më shumë se sa sportive, është shndërruar në betejë politike, e nxitur nga ngjarjet e Beogradit vitin e kaluar. Strukturat e sigurisë janë në alarm, pasi i frikësohen ndonjë incidenti të mundshëm që mund të ketë pasoja për rrugëtimin tonë drejt Evropianit të Francës. Nga biseda me një oficer të Ministrisë së Brendshme, mësojmë se ky institucion ka angazhuar forca të mëdha për mbarëvajtjen e ndeshjes.
Por sërish ka dilema e dyshime të shumta, që vijnë jo nga ballkonet e pallateve se sa nga pjesë të tjera jashtë stadiumit, apo dhe në rrugë të ndryshme. Për momentin “mini-helikopterët” janë frika më e madhe e Gardës dhe strukturave të tjera të sigurisë, pasi janë të vështirë të kontrollohen nëse vihen në lëvizje. Edhe pse kontrollet janë bërë dhe ka prej ditësh që është marrë nën kontroll situata, sërish shfaqet paniku.
Kjo lidhet edhe me praninë e zyrtarëve të lartë të shtetit në “Elbasan Arena”, por edhe pranisë së zyrtarëve serbë. Për momentin, frika më e madhe janë “mini-helikopterët”, ose llojet e ngjashëm, që mund të bëhen shkak për incidente.