AlbanianSport.com 08.11.2016 17:40
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit, ka bërë të ditur në faqen e saj zyrtare në Internet se ka marrë njoftimin e FIFA-s, që ndeshja eliminatore për Botërorit “Rusi 2018”, Shqipëri-Izrael e planifikuar për t’u luajtur më 12 nëntor 2016, nuk do të zhvillohet në Shkodër, por për arsye sigurie do të luhet në Elbasan.
FSHF njofton të gjithë sportdashësit se bileta e paguar për ndeshjen Shqipëri-Izrael, është e vlefshme njësoj nga pikëpamja monetare. Ajo duhet konvertuar, nga bileta për stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, në biletë për Stadiumin “Elbasan Arena”. Proçedura për konvertimin e biletave, kryhet në të gjitha pikat e shitjes së FSHF, në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Personi i pajisur me biletë fizike, duhet të paraqitet në një nga pikat, e deklaruara më poshtë, për të bërë konvertimin në biletën e re fizike. Për biletat elektronike të cilat janë blerë në internet, konvertimi do të bëhet nëpërmjet adresës së email: bileta@t-ticket.al. Nga kjo adresë do të dërgohen biletat e konvertuara.
Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon mirëkuptimin e të gjithë sportdashësve për këtë proçedurë të re, e cila është imponuar nga kushtet e krijuara. Veprimet , për të bërë ndryshimet e mësipërme, fillojnë të mërkurën pas orës 10.00.
Adresat ku mund të kryhen veprimet janë: Në Tiranë, dyqani i FSHF dhe biletaria e Stadiumit “Selman Stërmasi”; në Shkodër, biletaria e Stadiumit “Loro Boriçi” dhe Elbasan; biletaria e Stadiumit “Elbasan Arena”.