AlbanianSport.com 16/11/2022 21:35
ASNN – Në një atmosferë të ndezur dhe në një stadium të mbushurplot e përplot, Shqipëria është përballur me Italinë në një miqësore luksi, ndërsa pjesa e parë ka qenë me të vërtetë e vrullshme teksa ka dhuruar edhe 3 gola. Pas një çerekore të parë të baraspeshuar, me skuadrat që luanin të kujdesshme, do të jetë Kombëtarja kuqezi që do të kalojë e para në epërsi, kur ndërthurja e dy futbollistëve që luajnë në Serinë A të Italisë me Empolin, sjell edhe golin.
Nedim Bajrami do të harkojë bukur nga një goditje e lirë nga e djathta dhe shoku i tij i skuadrës, Adrian Ismajli, i shpëton mbulimit të kapiteni “axurr”, Bonuçi dhe e dërgon topin në rrjetë me një goditje me kokë. Megjithatë, italianët do të kundërpërgjigjen dhe brenda 5 minutash do të barazojnë shifrat, kur Di Lorenco i shpëton mbrojtjes kuqezi dhe e kthen topin në rrjetë pas një pasimi nga e majta. Dhe në minutën e 26-të, një tjetër shpërqendrim i mbrojtjes kuqezi u jep mundësi miqve të gjejnë edhe golin e dytë, me anë të Grifos, që përmbys kështu shifrat në favor të Italisë.
Takimi tashmë mbizotërohet nga “axurrët”, që kanë marrë në dorë frenat e lojës dhe, përtej një dëmtimi të rëndë të Tonalit, pas një dueli ajror me Baren, do t’i afrohen edhe golit të 3-të në minutën e dytë shtesë, por është shtylla e majtë pingule që shpëton kuqezinjtë dhe kësisoj pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të 4 herë “kampionëve të botës”.